Pyetësori, Fyle: Vendimi në bazë të kritereve

14/04/2010 19:55

Komisioneri evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle ka deklaruar pas marrjes së përgjigjeve për pyetësorin se KE do t’i shqyrtojë ato me kujdes dhe do të japë vendimin e duhur.

Fyle ka saktësuar se gjatë përgatitjes për vendimin do të mbikëqyret nga afër dhe me kujdes situata në Shqipëri, përmes misioneve të KE-së.

“Më lejoni të shpreh vlerësimin tim për këtë punë. Tani është radha jonë, na takon neve të punojmë, të analizojmë përgjigjet, të analizojmë misionet e ekspertëve tanë për cështje të ndryshme, për të punuar me kolegët tuaj për të krijuar opinionin tonë. Vendimi i komisionit do të jetë i drejtë, ne do t’iu kushtojmë një vëmendje të posacme plotësimit të kritereve të Kopenhagenit”, ka pohuar Fyle.

Por zyrtari i lartë evropian e ka vënë theksin tek situata politike në Shqipëri, për të cilën ka theksuar se ajo nuk ndikon pozitivisht në marrjen e këtij vendimi.

“Theksoj shqetesimin tim për mungesën e përparimit për normalizimin e situatës politike në Shqipëri. Puna politike pa partitë e opozitës nuk i përmbush parimet e BE”, ka nënvizuar Fyle, duke shtuar se elementë të tjerë kyc mbeten edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Shteti ligjor, duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një element kyc për afrimin me BE”, është shprehur komisioneri.

Megjithatë, ai ka dhënë garancinë e tij se KE do ta ndihmojë Shqipërinë për arritjen e objektivave të saj evropianë.

“Në diskutimin tonë mirëprita zhvillimet politike lidhur me plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave dhe përpjekjet në këtë drejtim duhet të vazhdojë. Liberalizimi i vizave është një proces i mbështetur në merita. Theksoj edhe njëherë se përsa i takon KE, ne jemi plotësisht të angazhuar për të ndihmuar vendin tuaj të ecë përpara në rrugën drejt BE”, ka shtuar Fyle.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA