“Calciopoli”, një histori pambarim, rrezikon Inter

14/04/2010 22:25

Përgjimet e reja prej prokurorisë së Napolit, ku po gjykohet ish-drejtori teknik i Juventusit, Luçiano Moxhi, kanë nxjerrë në dritë tabulatet telefonike mes ish-presidentit të Interit, Xhakinto Faketi dhe përgjegjësve të arbitrimit, të cilat implikojnë skuadrën zikaltër në trukimin e ndeshjeve.

Madje autoritetet dyshojnë se klubi zikaltër ka ndërhyrë edhe në Europë në vitin 2004 me ndeshjen Anderleht-Inter, ndeshje kjo e vlefshme për Ligën e Kampionëve, ku skuadra italiane fitoi 3-1.

Nëse akuzat ndaj Interit vërtetohen, atëherë skuadra milaneze rrezikon, në rastin më të keq rrezimin në Serinë B dhe rikthimin e titullit kampion të vitit 2006, titull ky i marrë në tavolinë pas penalizimit të Juventusit. Ndërkohë vetë djali i të ndjerit Xhakinto Faketi, është shprehur për rikthimin e titullit “nëse është e nevojshme”, por idea e hedhur prej tij është rrëzuar prej klubit zikaltër.

Skandali i futbollit italian nuk mundet kurrësesi të mos tërheqë vëmëndjen e aktorëve në fushë të Serisë A.

Kështu pas daljes në dritë të përgjimeve të reja të cilat implikojnë drejtuesit e Milanit, e veçanërisht ata të Interit mbi fiksimin e ndeshjeve, futbollisti i Milanit Pipo Inzagi e ka cilësuar “Calciopolin” një histori pambarim.

“Duket si një histori që nuk do të mbarojë kurrë”, shprehet Inzagi.

Ndërkohë mbrojtësi ekstrem i Milanit, Kristian Abiati ka kërkuar lënien pas krahëve të të shkuarës dhe fokusimi në situatën aktuale në të cilën ndodhet futbolli italian.

“Mendoj se nuk na nevojitet më të mendojmë për të shkuarën, por për të tashmen”, shprehet Abiati.

Top Channel