Trajneri Starova i kërkon ndihmë tifozëve

12/04/2010 12:30

Pas fitores me Teutën, Tirana rimerr vendin e tretë në klasifikimin e Kategorisë Superiore dhe shkëputet nga Laçi e Shkumbini, dy rivalët për “biletën” e fundit europiane nëpërmjet kampionatit.

Kjo ishte fitorja e dytë radhazi e bardhebluve me në krye trajnerin Sulejman Starova. Kampionët e sezonit të kaluar duket se janë rikthyer në identitet, ndërsa tashmë ata kërcënojnë edhe Besën e vendit të dytë, e cila ka vetëm dy pikë më shumë në tabelë.

Por, drejtuesi i stolit të Tiranës, i ka bërë thirrje tifozerisë që ta mbështesë skuadrën në këto javë të fundit, pavarësisht se skuadra do ta mbyllë sezonin pa asnjë trofe. “Me Teutën arritëm një fitore të rëndësishme. Jemi kthyer të vetëm në vendin e tretë, e tashmë duhet të ruajmë këto pozita për të luajtur në Europa League”, deklaroi Starova.

“Megjithatë, është shumë e rëndësishme që tifozët të vijnë në stadium për të na mbështetur. Pa prezencën e tyre duket sikur po luajmë ndeshje kontrolli dhe jo një takim të vlefshëm për kampionatin. Mbështetësit janë të rëndësishëm në këtë pikë, pasi Tirana po luan një pjesë të mirë të fateve të sezonit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA