Kriza shqiptare acaron nervat e BE-së

12/04/2010 09:10

“Shqipëria është futur në një rrugë qorre që prej përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit”. Kështu ka thënë një zyrtar i lartë në Bruksel për të përditshmen online të Brukselit “dtt-net”.

Në një artikull për zhvillimet në Shqipëri, theksohet se situata politike në vend ka acaruar nervat e zyrtarëve të BE-së, të cilët kanë kërkuar mbylljen përfundimtare të asaj që e kanë quajtur “fenomeni shqiptar”, i cili po ndodh që kur vendi ka rrëzuar komunizmin në vitin 1992.

Duke iu referuar zyrtarëve të BE-së në Bruksel, gazeta thekson se politikanët e Tiranës duhet të lënë njëherë e mirë “grindjet irracionale dhe të paarsyeshme” dhe të përqendrohen në të ardhmen europiane të vendit menjëherë dhe të mos shtyjnë arritjen e një zgjidhjeje, pasi mund të dëmtojnë popullin e tyre dhe të shtyjnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Çdo herë që ka zgjedhje në Shqipëri, ne do të duhet të bëjmë negociata sërish e prapë sërish për 18 vjet rresht. Në vend që bëjmë thirrje për rritjen e ritmeve për të arritur standardet e BE, që ky vend pretendon se i dëshiron, ata tërheqin njëri-tjetrin në një rreth vicioz pingpongu, duke sulmuar për çështjen e votimeve”, thekson një burim i rëndësishëm i “ddt-net”, që është diplomat i një shteti të BE-së dhe NATO-s.

Irritimi i Brukselit duket se ka arritur kulmin, ndaj dhe qëndrimi në lidhje me krizën shqiptare merr një qëndrim të qartë: “U takon atyre t’i zgjidhin problemet, jo neve. Por unë mendoj se ata kanë një problem të thellë të identitetit politik dhe ne nuk mund t’ua zgjidhim”.

Duke e bërë të qartë se për kë politikan bëhet fjalë, zyrtari i BE-së thekson se “këtë mentalitet mund ta gjesh në të gjithë politikën, si kur janë në pushtet, ashtu dhe në opozitë, por pasojat nuk i vuajnë politikanët, por qytetarët shqiptarë.

Zyrtarët e Bashkimit Europian dhe diplomatët kanë kërkuar në mënyrë permanente arritjen e kompromisit politik. Këtë e bëri në udhëtimin e fundit në Tiranë muajin e shkuar, edhe Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Stefan Fule.

Komisioneri përsëriti mesazhin se kjo situatë nuk do ta ndihmojë ecjen e Shqipërisë drejt integrimit europian dhe mund të shtyjë marrjen e statusit të vendit kandidat.

Më 15 prill pritet që Kryeministri Berisha të vizitojë Brukselin për të dorëzuar përgjigjet e pyetësorit të ardhur nga Komisioni Europian.

Ndërkaq, më 11 maj mblidhet në kryeqytetin europian takimi i dytë i Këshillit të Stabilizim-Asocimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, ku pritet të bëhet e qartë drejtimi i opinionit që do të japë komisioni për Këshillin e Ministrave, i cili deri në muajin korrik drejtohet nga Spanja.

Në këtë kohë pritet të dorëzohet edhe raporti për liberalizimin e vizave, që prek dy vendet e Ballkanit: Shqipërinë dhe Bosnjën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA