Kampionati, maskarada vijon edhe nën sytë e Josip Kuzhe

12/04/2010 12:00

Teatri në Kategorinë Superiore ka vazhduar edhe në sytë e trajnerit Josip Kuzhe. Drejtuesi i stolit të Kombëtares shqiptare ka qenë i pranishëm në stadiumin “Qemal Stafa” për të ndjekur nga afër sfidën Dinamo-Vllaznia.

Në radhët e bluve militojnë Elis Bakaj dhe Emiliano Vila, dy lojtarë që janë pjesë e kontingjentit kuqezi, por edhe Arjan Pisha, i cili cilësohet si një alternativë për mbrojtjen në kuadër të eliminatoreve të Euro 2012.

Ndërkohë, te Vllaznia, sulmuesi i talentuar Bekim Bala është një element që mbahet nën vëzhgim nga stafi i përfaqësueses, si një alternativë për të ardhmen. Megjithatë, vëzhgimi i kandidatëve për një fanellë kuqezi nuk ka dhënë rezultatet e pritura, për shkak të mungesës së seriozitetit në fushë dhe lojës jo në nivelet e pretenduara, ndërsa në fund kryeqytetasit i dhuruan tri pikët shkodranëve.

Kuzhe po vëzhgon futbollistët e kampionatit shqiptar, të cilët janë në “orbitën” e Kombëtares, në prag të miqësoreve me Malin e Zi dhe Andorrën, të cilat do të luhen më 25 maj në Podgoricë dhe më 2 qershor në Tiranë. Këto dy ndeshje cilësohen si prova të rëndësishme përpara startit të eliminatoreve, me ndeshjen e parë që Shqipëria do të luajë më 4 shtator në Bukuresht përballë Rumanisë.

Aty do të kolaudohet grupi me të cilin kuqezinjtë do të përfaqësohen në aktivitetin kontinental. Trajneri kroat ka qëndruar gjatë gjithë ndeshjes në tribunën kryesore i shoqëruar nga menaxheri i ekipit Kombëtar, Denis Bastari. Ndërkohë, në përfundim të 90-minutëshit ai është larguar nga impianti më i madh në vend duke qeshur. Por, humori i mirë i Kuzhesë nuk lidhet me emocionet që ai priste prej këtij takimi, i cili në një situatë tjetër do të kishte qenë supersfida e fundjavës në elitën e futbollit shqiptar.

Top Channel