Bogdani, Di Karlo i mohon ndeshjen e 300

12/04/2010 12:45

Trajneri i Kievos, Mimo Di Karlo, i ka prishur Erjon Bogdanit festën e 300 ndeshjeve në aktivitetet e futbollit italian. Deri më tani, sulmuesi shqiptar numëron 299 ndeshje, prej të cilave 174 prezenca janë në Serinë A, 106 në Serinë B, 16 në Kupën e Italisë dhe 3 në turne të tjerë.

Aktivizimi në sfidën e djeshme kundër Palermos do të ishte një mënyrë shumë e mirë për të festuar qëndrimin 10-vjeçar në ligat përtej Adriatikut, por edhe një dhuratë për ditëlindjen e 33, të cilën lojtari do ta festojë më datën 14 prill.

Megjithatë, tekniku ka vendosur ta mbajë vetëm në stol kuqeziun, pavarësisht mungesës së kapitenit Pelisier, duke i dhënë hapësira De Paulas (autorit të golit të vetëm të veronezëve në humbjen 3-1), Abruskatos dhe Granokes.

Që prej transferimit të tij në Itali, në vitin 2000 nga NK Zagreb, Bogdani ka luajtur me fanellat e Rexhinës, Salernitanës, Hellas Verona, Sienas, Livornos e Kievos. Për shkak të aktivizimit të pakët gjatë këtij sezoni, nuk përjashtohet mundësia që gjatë merkatos së verës, Bogdani të transferohet te një tjetër skuadër italiane, ose të provojë aventurën në një kampionat europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA