
Roma e Ranierit ka marrë për herë të parë kreun e Serie A, falë fitores 2-1 me Atalantën në Olimpiko.
Kryeqytetasit kanë bërë një pjesë të parë të shkëlqyer ku dhe u shënuan dy golat e tyre. Vuçiniç zhbllokoi rezultatin në minutën e 12, ndërkohë që 15 minuta më vonë Kaseti e dyfishoi atë.
Në pjesën e dytë, miqtë shënuan vetëm 1 gol, me Tiribokin, pasi romanët nuk u lanë shumë hapësira për të barazuar.
23 ndeshje pa asnjë humbje në kampionat, e kanë përmbysur diferencën prej 14 pikësh në klasifikim mes Interit dhe Romës, skuadër e cila tashmë është në krye 1 pikë para Interit të Murinjos.
Milan i ka shpëtuar disfatës ndaj Katanias falë një loje mjaft të mirë në 45 minutat e dyta. pasi barazuan 2-2 me Catania në San Siro.
Kuqezinjtë e mbyllën pjesën e parë në disavantazh të dy golave. Maksi Lopez dhe më pas Rikiuti ndëshkuan skuadrën e Leonardos që u protestua shumë nga tifozët vendas në 45 minutat e para.
Situata ndryshoi në pjesën e dytë, kur në fillimin e saj Borrielo shkurtoi diferencën. Përpjekjet e vazhdueshme të tyre u shpërblyen në fundin e ndeshjes, kur Borrielo shënoi golin e barazimit për Milanin, që tashmë është 4 pikë larg Romës kryesuese.
Juventus rigjen më në fund fitoren në Serie A. Skuadra torineze mundi në fushën e saj Kaljarin me rezultatin e ngushtë 1-0. Ai që vendosi fatin për Zonjën e Vjetër ishte mbrojtësi Kielini, autori i golit të fitores për bardhezinjtë.
Top Channel