Vangjeli: Kam humbur tri finale

10/04/2010 14:45

Kristi Vangjeli, ashtu sikurse e gjithë skuadra dhe stafi i Arisit, është i përqendruar te finalja e Kupës së Greqisë kundër Panathinaikosit.

Mbrojtësi shqiptar ka nënvijëzuar se dëshiron të fitojë me patjetër trofeun me klubin nga Selaniku dhe theksoi se atmosfera te “të verdhët” është mjaft pozitive. 25-vjeçari deklaroi: “E dëshirojmë shumë këtë trofe dhe nuk e fshehim një fakt të tillë. Na kanë mbetur edhe dy ndeshje në kampionat, por më duhet të pranoj se mendja jonë është te Kupa. Synojmë ta fitojmë! Personalisht kam humbur tri finale dhe nuk dua që kjo të ndodhë për herë të katërt. Dua të festoj për këtë trofe dhe të lumturohem, ashtu si gjithë klubi dhe tifozët e Arisit”.

Më tej, Vangjeli shtoi: “Është shumë e rëndësishme që grupi të qëndrojë i bashkuar, pasi kjo bën diferencën në fushën e lojës. Të gjithë japin kontributin e tyre, pasi tek Arisi jemi një familje”. Lojtari i përfaqësueses kuqezi ka folur edhe për ndikimin e Hektor Raul Kuper. “Skuadra jonë kishte kualitet, këtë e dinim të gjithë prej fillimit. Në momentin e emërimit të Kuper, shfaqëm disa vështirësi për t’u përshtatur me mentalitetin dhe kërkesat e trajnerit të ri. Por, pas një pune të gjatë dhe shumë vuajtjeve, më në fund gjetëm buzëqeshjen. Kemi përjetuar disa muaj të vështirë, megjithatë jemi në finale dhe kërkojmë me patjetër që të dalim fitimtarë nga fusha”, përfundoi korçari.

Top Channel