Partizani kundër pronarëve

10/04/2010 14:45

Të grumbulluar në ambientet e klubit Partizani në mënyrë spontane, tifozët e kuq kanë “çarë” rrethimin e vendosur nga pronarët e tokës. Prej dy ditësh, asnjë prej skuadrave të Akademisë, përveç ekipit të parë të drejtuar nga trajneri Gerti Haxhiu, nuk lejoheshin të stërviteshin rregullisht.

Ndërhyrja e mbështetësve të “demave” ka tensionuar edhe më shumë marrëdhënien ndërmjet pronarëve të tokës dhe drejtuesve të klubit, me në krye administratorin Paro Laçi.

Ndërsa lojtarët e Partizanit u futën në fushat stërvitore për t’u përgatitur për sfidën e sotme me Elbasanin, futbollistët e ekipeve zinxhir, të shoqëruar nga prindërit e tyre kanë pritur jashtë ambienteve të klubit. Forcat e policisë private, të punësuara nga pronarët e truallit, nuk kanë pranuar të negociojnë për ndryshimin e situatës. Qëndrimi i tyre, për të mbajtur ekipet e moshave jashtë klubit (sipas udhëzimeve të pronarëve), nuk ndryshoi me gjithë tentativat e administratorit Laçi, që prej kohësh lufton për normalizimin e situatës. Gjatë kësaj kohe, sheshi përpara klubit është populluar edhe nga tifozët, të cilët janë bërë pjesë e konfliktit në mbrojtje të skuadrës së zemrës. Për të evituar që situata të degjeneronte, në vendngjarje mbërritën edhe disa forca të rendit. Në përpjekje për të qetësuar palët, policët e Komisariatit Nr. 2 të kryeqytetit është shndërruar në rolin e negociatorit, megjithatë gjithçka është përkeqësuar. Tensioni me tifozët, prindërit e lojtarëve të rinj dhe drejtuesit e klubit, ka bërë që policët privatë t’u kundërvihen edhe gazetarëve të pranishëm. Ndërsa më parë në klub ishte pranuar vetëm hyrja për mediat e shkruara, pasi mediat vizive nuk janë lejuar sërish, në një moment të dytë, përfaqësuesit e gazetave janë detyruar të largohen, madje nuk ka munguar as përdorimi i forcës.

Tensioni është shtuar edhe më shumë, pas përpjekjeve të tifozëve për të hyrë me forcë në ambientet e klubit, madje nuk kanë munguar as konfrontimet fizike me përfaqësuesit e policisë private. Por, për fat të mirë situata u mbajt nën kontroll. Gjatë kësaj kohe, sportistët e Akademisë arritën të futen në fushat stërvitore dhe të vazhdojnë normalisht punën me trajnerët e tyre. Por, sikur të mos mjaftonte mësymja me thirrjet “Para Partizoni”, mbështetësit e kuq kanë “pushtuar” edhe ndërtesën e klubit. Në katin e dytë të godinës, aty ku ndodhen zyrat e stafit drejtues, u vendos parulla: “Ju kurrë nuk do të jeni vetëm”, ndërsa më tej të gjithë të pranishmit kanë ndjekur stërvitjen e fundit përpara sfidës me Elbasanin, që vlen një “biletë” për rikthimin në Kategorinë Superiore.

Top Channel