Futbolli në darën e dhunës

10/04/2010 15:45

Kanë kaluar pak ditë nga ngjarja e rënde në ndeshjen mes Shkumbinit dhe Besës ku kryebashkiaku i Peqinit, Ilir Rrushi, zëvendësi i tij dhe zv/trajneri i Shkumbinit, goditën trajnerin e Besës, Shpëtim Duro.

Kjo ngjarje e turpshme u pasua vetëm me padinë penale që ka bërë vetë trajneri Duro në komisariatin nr.2 të Tiranës, ndërkohë që ende nuk ka patur ndonjë reagim nga strukturat qeveritare dhe ato të federatës. Prania e njerëzve me pushtet e imunitet në fushat e futbollit, jo vetëm që nuk po e ndihmon këtë sport, por po e kthen shumë vite pas.

Prej kohësh është krijuar pranë Federatës Shqiptare të Futbollit shoqata e trajnerëve me kryetar Bejkush Bircen, por ashtu si e thote edhe vetë ai, është krejtësisht e pafuqishme për të reaguar përballë fenomeneve të tilla. “Nuk jemi mbledhur për të vepruar dhe për t’i dhënë një përgjigje përfundimatare këtij fenomeni”, thekson Birce.  

Megjithatë nuk ka munguar sensibilizimi i trajnerëve të tjerë të Superligës, të cilët edhe pse e konsiderojnë një ngjarje që sa vjen e bëhet më e zakonshme, kërkojnë njëzëri një reagim të ashpër kundrejt kujdo që prish lojën e bukur të futbollit.

“Mendoj që gjëra të tilla janë të dënueshme dhe të papranueshme. Ky duhet të jetë një alarm për të gjithë. Ne raste të tilla nuk mund të ecim përpara për të ndërtuar një futboll fair play”, thekson Shkelqim Muca. Ndërsa Sulejman Starova shton: “Ky është turpi i radhes. Kryebashkiaku nuk ka turp që të kërkojë falje. Gjithe ky kampionat keshtu ka shkuar”. Të njëjtën akuzë bën edhe trajneri i Vllaznisë Edi Martini. “Eshtë dicka jo normale. Shoqata e trajnerëve duhet të marre masa të sensibilizoje opinionin. Futbolli është një sport, një shfaqje dhe si i tillë duhet të konsiderohet”, shprehet ai.

Ka pasur edhe trajnerë të tjerë si ai i Flamurtarit, Gugash Magani, i cili vjen nga qyteti i Peqinit dhe si rrjedhojë nuk ka pranuar të flasë për këtë ngjarje edhe pse është një koleg i Duros e mbi të gjitha me këto përmasa që po merr ky fenomen i dhunës, ndoshta një ditë mund të prekë edhe atë. Gjithësesi, përballë një kyetari bashkie që guxon të prekë futbollin e të dhunojë aktorët, Federata e Futbollit është e pafuqishme te shkoje pertej masave ndeshkuese ndaj ekipeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA