Grima: Vllaznia mund ta fitojë Kupën

09/04/2010 13:05

Triumfi 2-0 me Teutën, që i lejoi Vllaznisë kalimin në finale, ka ngritur moralin në kampin shkodran.

Tashmë, skuadra e kryeqendrës së Veriut ka shansin që të fitojë Kupën e Shqipërisë për të dytën herë në tri edicionet e fundit. Por, ky trofe shihet edhe si një mënyrë për të mos e cilësuar zhgënjyes sezonin aktual, me kuqeblutë që vazhdojnë të jenë në luftë të plotë për mbijetesën në Kategorinë Superiore.

Kapiteni Armir Grima mendon se të besuarit e trajnerit Edi Martini i kanë të gjitha mundësitë që të dalin fitimtarë në finalen e 9 majit kundër Besës.

“Besoj se Vllaznia mund ta fitojë Kupën e Shqipërisë. Gjithsesi, tashmë po vazhdojmë të festojmë për kalimin në finale, pasi 9 maji është ende larg. Mungon edhe një muaj nga ajo ndeshje, për këtë arsye them se kemi kohë”, deklaroi portieri 35-vjeçar. Në vitin 2008, ai e ngriti Kupën si kapiten i Vllaznisë, pas finales me Tiranën, ndërsa gjatë 22 viteve në “Loro Boriçi” është shpallur edhe dy herë kampion, më 1992-in dhe 1998-n.

Top Channel