Alonso: Të mësojmë nga gabimet e Malajzisë

09/04/2010 15:40

Fernando Alonso është rikthyer në shtëpinë e tij në Europë pas tre garave të para në Azi dhe Australi. Piloti i Ferrarit ka komentuar garën e fundit, atë në Malajzi ku gjithcka shkoi keq për të.

“Në Sepang kaluam një garë shumë të vështirë. Eshtë një mëkat sepse kishim pritshmëri të lartë dhe gara që bëmë e vërtëtoi këtë. Bëmë një gabim gjatë provave dhe këtë e paguam në garë ku patëm gjithashtu edhe probleme besueshmërie. Mund t’i ndodhë kujtdo një disfatë e tillë por e rëndësishme është që të mos përsëritet më”, thekson dy herë kampioni i botës.

Më tej ai shton se nuk është i shqetësuar për besueshmërinë. “Duhet të përmirësohemi më shumë në shfrytëzimin e gomave gjatë provave sepse në garë po ecim mirë”, shton spanjolli.

Ndërkohë ai ka nisur punën për garën e Shangait dhe Alonso mendon se Ferrari F10 do jetë shumë e shpejtë në këtë pistë. “Mendoj se makina do përshtatet shumë mirë me karakteristikat e kësaj piste dhe ka shumë arsye për të qënë optimistë. Në garat e ardhshme duhet të kërkojmë më shumë podiumin në mënyrë që të jemi në garë edhe për titullin”, përfundon asturiani.

Top Channel