Besa me “paterica” kundër Shkumbinit

06/04/2010 11:30

Besa kërkon dëshpërimisht finalen e Kupës së Shqipërisë. Pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme në kampionat, kavajasit e cilësojnë trofeun e dytë për nga rëndësia në vend, si mundësinë e vetme për të shpëtuar sezonin.

Megjithatë, shanset e skuadrës së drejtuar nga Shpëtim Duro janë ulur në mënyrë të ndjeshme, pas barazimit 1-1 në takimin e parë me Shkumbinin. Në gjysmëfinalen e parë të luajtur më 24 mars përballë peqinasve, verdhezinjtë nuk arritën të përfitonin nga faktori fushë, madje kanë rrezikuar seriozisht të humbnin.

Ata iu përgjigjën golit të Bakiut për miqtë me Daniel Xhafajn, por rezultati nuk jep asnjë garanci për t’u kualifikuar. Kësaj i shtohen edhe problemet me dëmtimet, ku Mihani e Babamusta vazhdojnë periudhën e rehabilitimit, ndërsa Dhëmbi e Dragusha nuk janë në formën optimale.

Duke parë situatën e krijuar, stafi teknik i Besës është i gatshëm që të sakrifikojë disa futbollistë, në mënyrë që të plotësojë boshllëkun e krijuar në formacion. Dhëmbi e Dragusha pritet të zbresin normalisht në fushën e lojës, edhe pse me “paterica”. Trajneri dhe ndihmësit e tij preferojnë të kenë në dispozicion dy lojtarët me eksperiencë, pavarësisht faktit se rendimenti i tyre nuk do të jetë 100 për qind. Arsyeja është e thjeshtë: në Peqin duhen të gjithë futbollistët, pasi kavajasit do të provojnë me të gjitha forcat që të përsërisin suksesin e edicionit 2006-’07, kur fituan Kupën e Shqipërisë.

Tensioni nuk mungon, pavarësisht se pas ndeshjes së parë Duro u mundua të shfaqej optimist. “Mendoj se rezultati ishte pozitiv dhe shanset për t’u kualifikuar janë 50 me 50”, kishte deklaruar tekniku pas barazimit 1-1. Por, sirenat e alarmit bien kryesisht për formën e dobët që po kalon skuadra.

Në gjashtë ndeshjet e fundit në Superiore, Besa regjistron pesë humbje, katër prej të cilave në javët e fundit dhe vetëm një barazim. Fitorja e fundit e kavajasve është ajo e 10 shkurtit, në çerekfinalen e parë të fituar 2-0 përballë Tiranës. Dy muaj të plotë me rezultate negative kanë ndikuar në moralin e skuadrës, që ka humbur shkëlqimin e fillimit të sezonit dhe po vuan mungesën e lojtarëve lider, të cilët arrijnë t’i zgjidhin ndeshjet të vetëm. E vetmja statistikë pozitive, sipas së cilës Besa mund të shpresojë për të marrë rezultatin e dëshiruar, është ecuria e mirë përballë Shkumbinit në këtë edicion. Në tri përballje të luajtura deri më tani, ata kanë fituar dy herë (në kampionat) dhe kanë barazuar një herë (në Kupë). Fitorja më e rëndësishme, që padyshim skuadra do të kërkojë të përsërisë, është ajo e javës së dytë, në fushën e Shkumbinit: më 30 gusht, Besa triumfoi me rezultatin 2-1, falë golave të Cikalleshit dhe Mihanit.

Megjithatë, në Kupë, peqinasit janë shfaqur si një skuadër më konstante se ajo e drejtuar nga Shpëtim Duro. Ata kanë luajtur tri herë në gjysmëfinale në katër edicionet e fundit, ndërsa për verdhezinjtë kjo është gjysmëfinalja e dytë në një dekadë. Njeriu që mund të bëjë diferencën është trajneri Përparim Daiu, ish-lojtar i Besës, i cili e njeh mirë ambientin kavajas. Ai mund ta shfrytëzojë momentin negativ të skuadrës së vendlindjes, për t’i dhuruar Shkumbinit finalen e parë të Kupës në historinë e klubit.

Top Channel