Dinamo, në dilemë për të ardhmen e Muçës

31/03/2010 13:50

E ardhmja e Shkëlqim Muçës te Dinamo vazhdon të jetë e pasigurt.

Edhe pse ka ndërtuar një skuadër që dominon në Kategorinë Superiore, duke e mbyllur çështjen e titullit shumë javë përpara fundit të kampionatit, trajneri mund të largohet nga skuadra blu. Shkak është bërë ftohja e marrëdhënieve ndërmjet Muçës dhe drejtuesve të klubit. Situata ka arritur pikën kritike, me dialogun mes palëve që thuajse nuk ekziston, ndërsa pakënaqësi ka edhe për mënyrën sesi tekniku menaxhon skuadrën.

“Marrëdhëniet e trajnerit me krerët e klubit janë ekzistuar, madje mund të thuhet se drejtuesit nuk e durojnë dot më prezencën e tij në stol. Pakënaqësi të theksuara ka edhe për punën me blutë dhe për menaxhimin e skuadrës, theksuan burime pranë bluve. Megjithatë, trajneri ka një kontratë të rregullt dhe nëse presidenti Sulaj dhe bashkëpunëtorët e tij do të vendosin ta shkarkojnë, ata duhet t’i paguajnë rrogën e plotë. Kjo është arsyeja përse Muça e ka të sigurt qëndrimin në krye të skuadrës deri në fund të sezonit, ndërsa për më tej ka shumë të panjohura”.

Pavarësisht situatës aspak komode ku ndodhet, eksperienca dhe fakti se është një prej trajnerëve më të mirë në qarkullim në Shqipëri flasin në favor të Muçës. Burimet theksuan: “Edhe pse dëshirojnë ta largojnë, drejtuesit e Dinamos i tremben faktit se nuk do të gjejnë një trajner më të mirë, që mund të punojë me ekipin për sezonin e ri. Kjo është dilema e tyre më e madhe për të ardhmen e stolit”.

Ndërkohë, trajneri në anën tjetër ka theksuar edhe një herë se objektivi kryesor në planin personal është të vazhdojë punën me kryeqytetasit. Në emisionin “Procesi Sportiv” në “Top Channel”, Muça deklaroi se e ka realizuar misionin e tij, ndërsa do të luajë deri në fund shanset për të qëndruar te Dinamo. “Dëshira ime është që të vazhdoj punën te Dinamo. E bëra punën time, duke e shpallur skuadrën kampione përpara kohe, pavarësisht faktit se mund të ketë njerëz që nuk duan të më shohin duke ngritur trofe. Vetëm nëse drejtuesit e klubit nuk më duan, atëherë do të studioj mundësitë dhe ofertat, për të punuar në një skuadër tjetër”, ishin fjalët e Muçës.

Top Channel