Sneijder: Na ndalin vetëm dëmtimet

30/03/2010 15:55

Wesley Sneijder është i lumtur në Milano, duke e lënë pas hidhërimin pas largimit nga Real Madrid.

Mesfushori i skuadrës së Interit shprehet me superlativa për klubin e presidentit Moratti, duke theksuar se zikaltërit mund të kenë vetëm një kundërshtar për garën e kampionatit, dëmtimet. “Kam frikë vetëm nga dëmtimet. As Roma dhe as Milani nuk më trembin”, thekson holandezi që ka gjetur formën më të mirë pasi hyri menjëherë në planet e teknikut Mourinho kur u transferua nga Madridi. Në intervistën dhënë për faqen e FIFA-s, ai shprehet se Interi është një nga 6 skuadrat më të mira në Europë.

“Përsa i përket rrugëtimit në Europë, mendoj se skuadra jonë është mes 6 më të mirave dhe për këtë nuk kam asnjë dyshim”, shton ai. Sneijder flet edhe për ambientimin në Milano pas transferimit nga Madridi këtë verë. “Jam në formë shumë të mirë për momentin. Mendoj se jam ambientuar me Milanon shumë shpejt edhe pse duhet ende të punoj shumë. Kontrata me Real Madrid ishte për mua kurorëzimi i një ëndrre. Sezoni i parë ishtë pozitiv, ndërsa në të dytin u kushtëzova nga dëmtimet”, shton ai.

Por “tulipani” nuk ka lënë pa përmendur as trajnerin Mourinho, i cili i dha mundësinë për të rilindur. “Të punosh me të është vërtet e vecantë. I do lojtarët e tij dhe është shumë profesionist. Ajo që e bën vërtetë të vecantë është se punon me cdo lojtar dhe kujdeset edhe për detajet më të vogla”, përfundon holandezi.  

Top Channel