Bajern-Mancester, supersfida e mungesave

30/03/2010 15:10

Drejtuesit e Bajernit të Mynihut do të vendosin vetëm në momentin e fundit nëse do të kenë në dispozicion në këtë fazë cerekfinale të Champions League, dy yjet Arjen Roben dhe Frenk Riberi.

Holandezi Roben pati një dëmtim muskular në ndeshjen e fundit në kampionat kur Bajerni u mund 2-1 nga Shtutgarti dhe vetëm një rikuperim i plotë mund ta fusë atë në ndeshjen ndaj Mancesterit, në mënyrë që të evitojnë një dëmtim më të rëndë. Nuk duhet harruar se Bajerni i Mynihut ka ende edhe shumë ndeshje për të luajtur pasi objektivat i kanë si për kampionatin ashtu edhe për Kupën e Gjermanisë.

Një dëtmim në kavilje ka pasur edhe francezi Frenk Riberi. Për të nuk është vendosur nëse do të luajë që nga minuta e parë apo si zëvendësues. Gjithashtu bavarezët nuk do të kenë në dispozicion në këtë ndeshje dhe mesfushorin Shvajstajger, i cili është i pezulluar. Mancester me një rekord pranie prej 11 cerekfinalesh në Champions League, ka në dyshim lojtarin më në formë për momentin Uejn Runi por edhe mbrojtësin Rio Ferdinand, i cili ka qëndruar pushim në fundjavë.

Po sot do të luhet dhe drebi francez mes Lionit dhe Bordosë. Kjo është hera e parë në historinë e këtyre dy skuadrave që përballen në një fazë të tillë të aktiviteteve europiane. Lioni i cili ka fituar 7 tituj kampionë radhazi, po sheh që në këtë sezon rekordi i tyre të ndrëpritet nga Bordoja. Në finalen e Kupës së Francës, Bordoja u mund 3-1 nga Marseja ditën e shtunë, ndërkohë në ndeshjen e sotme do të jenë pa mesfushorin Alou Diarra dhe mbrojtësin Planus, i pari është i pezulluar ndërsa tjetri i dëmtuar.

Top Channel