Banka Botërore e ka kushtëzuar vijimin e projektit për menaxhimin e integruar të bregdetit të jugut me ndërmarrjen e disa masave nga ana e qeverisë për të ndihmuar banorët e Jalit, shtëpitë e të cilëve u shembën nga policia ndërtimore në vitin 2007.
Lajmi bëhet i ditur nga një dokument i Bankës Botërore i publikuar në faqen e saj zyrtare. Dokumenti bën të ditur se në lidhje me Jalin, mes Bankës Botërore dhe qeverisë shqiptare është nënshkruar një marrëveshje më 16 prill 2009, në të cilën qeveria është angazhuar për ndihmë konkrete për të dëmtuarit.
Marrëveshja nuk është bërë kurrë publike. Raporti i publikuar në janar pasqyron ndryshimet e plota që i bëhen projektit, si dhe rreziqet mbi dëmet që mund t’i shkaktohen imazhit të Bankës Botërore nga mënyra se si qeveria shqiptare do ta trajtojë çështjen e banorëve të Jalit.
“Rreziqet lidhen me aksionet e përcaktuara në marrëveshjen e 16 prillit 2009 mes bankës dhe qeverisë në lidhje me shkatërrimet e prillit 2007, nuk kanë ndikim direkt në zbatimin e investimeve mbi infrastrukturën ambientale. Veprimet që duhet të ndërmerren janë përcaktuar në marrëveshjen shtesë të kredisë dhe do të monitorohen nga banka gjatë mbikëqyrjes së projektit. Dështimi në plotësimin e kushteve të përcaktuara në marrëveshjen ligjore i japin bankës të drejtën të ushtrojë veprime riparuese”, thuhet në dokument.
Dy janë rreziqet e përmendura në dokument dhe që ekspertët e BB i kanë identifikuar në lidhje me Jalin. E para është: “Kërkuesit e dëmtuar nga shkatërrimet e prillit 2007 nuk marrin një gjykim të plotë dhe të lirë në sistemin gjyqësor ose nëse kërkuesit fitojnë, ato mund të mos marrin dëmshpërblimin e përcaktuar”. Ky skenar mbart për BB një shkallë rreziku “të moderuar”. Por në rast se ndodh, kërcënimi është që qeveria të penalizohet sipas marrëveshjes shtesë për kredinë.
Rreziku i dytë lidhet me detyrimin e qeverisë për të ndihmuar familjet e varfëruara nga shkatërrimet e vitit 2007 dhe ky konsiderohet si rrezik “substancial” në dokumentin e BB. “Vlerësimi shoqëror apo i prekshmërisë (studimi i pasojave shkatërrimeve dhe marrja e masave për lehtësimin e pasojave) mund të vonohet në mënyrë domethënëse dhe/ose paketa e ndihmës nuk sigurohet në kohë për ata që u dëmtuan nga shkatërrimet e vitit 2007 dhe që plotësojnë kriteret e përfitimit”.
Në këtë rast, BB kërcënon se do të ndërmarrë masa të tjera ndëshkuese, ndonëse nga dokumenti nuk del qartësisht se cilat janë mekanizmat e presionit që banka ka ndër mend të ushtrojë në lidhje me këtë çështje.
Gjithçka filloi në prill 2007, kur fadromat e policisë ndërtimore të Vlorës shkatërruan shtëpitë dhe bizneset e banorëve të Jalit. Qeveria në atë kohë deklaroi se shkatërrimet qenë të detyruara, për shkak të një projekti të Bankës Botërore në zonë. Opozita akuzoi se shkatërrime të tilla synojnë të varfërojnë banorët dhe të blejnë tokat e tyre për t’i kthyer në fshatra turistikë. Ngjarja mund të harrohej me kaq, por nuk ndodhi, për shkak se disa banorë të Jalit kërkuan të dinë nga Banka Botërore nëse kishte lidhje me shkatërrimet apo jo. Një hetim i thelluar nga një zyrë e pavarur në BB, e quajtur Paneli i Inspektimit, doli në përfundimin se emri dhe stema e BB qenë përdorur për të nxitur policinë ndërtimore dhe objektet e shembura qenë identifikuar nga fotografi ajrore të bëra me fonde të projektit.
Drejtësia shqiptare vihet tani para përgjegjësisë së arsyetimit nëse veprimet e policisë ndërtimore kanë qenë të ligjshme apo jo. Në shumë pak raste veprimet e organizmave shtetërorë në Shqipëri janë sfiduar ligjërisht dhe deri më sot nuk njihet asnjë rast që qytetarët të kenë fituar të drejtën. Policia Ndërtimore është një nga të paktat institucione në Shqipëri që kanë të drejtën e nxjerrjes së urdhrit ekzekutiv jashtë një procesi të rregullt gjyqësor. Asaj iu dha kjo e drejtë gjatë luftës së shtetit kundër kioskave në vitet ’92-’02, kur pothuajse të gjitha lulishtet e Shqipërisë qenë mbuluar me ndërtime pa leje. Por Jali nuk ishte një rast i tillë, pasi banorët patën ndërtuar në tokë të tyre dhe nuk dihet të ketë ekzistuar një denoncim paraprak.
Top Channel