Demontimi, Shqipëria i kërkon ndihmë NATO-s

29/03/2010 21:20

Shqipëria numëron të paktën 85 mijë tonë municione të skaduara, jashtë standarteve të NATO-s, si ato që shpërthyen në Gërdec.

Për eleminimin e plotë të tyre, qeveria shqiptare kërkoi në Bruksel ndihmë financiare nga aleatët e NATO-s, por dhe nga vende të tjera.

Projekti u prezantua nga agjencia e NATO-s, NAMSA, gjatë një konference të organizuar nga delegacioni shqiptar në Aleancë.

“Këto përbëjnë një cështje shumë, shumë kritike, pasi mund të ndodhë edhe vetshpërthimi i municioneve, sepse me kalimin e viteve municionet bëhen më të ndjeshme. Ndaj shpresoj që ta zgjidhim këtë problem në 4 vite”, ka deklaruar Bulent Tudes, menaxher i programit NAMSA.

Janë 18 mijë tonë municione në Polican, 3 mijë në Gramsh dhe 31 mijë tonë të tjera në Mjekës. Për 53 mijë tonë municione do të bëhet carmatim industrial sipas projektit, ndërsa pjesa e mbetur, 23 mijë tonë do të shkatërrohet përmes një teknike të sofistikuar që quhet shpërthim i hapur.

I gjithë projekti kushton 35,8 milionë euro, nga të cilat 8.5 milionë euro paguhen nga buxheti i shtetit dhe 10 milionë $ është kontribut i Shteteve të Bashkuara.

Aleatët e tjerë të NATO-s vlerësuan projektin, por nuk u angazhuan për të ndihmuar me fonde. Argumenti kryesor është që kontribute të tilla jepen nga Aleanca për vendet partnere dhe jo anëtare, madje Japonia dhe Gjermania i sugjeruan Shqipërisë që të kërkojë para nga OSBE e PNUD për këtë projekt.

Në kohën kur Shqipëria kërkon ndihmë financiare nga të huajt, burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes rrëfyen për TCH se më shumë se gjysma e buxhetit të këtij dikasteri kthehet në fund të vitit në arkën e shtetit, pasi kjo ministri nuk arrin të shfrytëzojë tërësisht shumën e përcaktuar që prej angazhimit në NATO prej 2% GDP.

Top Channel