Marçelo Lipi qëndron në krye të stolit së Italisë

27/03/2010 13:00

Marçelo Lipi është gjithmonë e më pranë konfirmimit në krye të Kombëtares italiane. Kjo bën që të përfundojë edhe telenovela se cili do të jetë trajneri i “axurrëve” pas Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut.

Në të njëjtën kohë, do t’i jepet fund edhe spekulimeve rreth rikthimit të Lipit te Juventusi, në një post drejtuesi në klub. Gjithçka varej nga Çezare Prandeli: presidenti i Federatës Italiane (FIGC), Xhankarlo Abete hoqi dorë kur e kuptoi se Fiorentina do të bëjë të pamundurën për të mbajtur drejtuesin e stolit dhe se vetë teknikut i pëlqen më tepër ideja për t’u emëruar te Juve dhe jo në përfaqësuese.

Federata bëri një hap mbrapa dhe gjeti Lipin të gatshëm, për të nisur negociatat për rinovimin e kontratës. Presidenti i Fiorentinës, Diego Dela Vale, u shpreh qartë: “Në vezën e Pashkëve, tifozët tanë presin të gjejnë një letër ku Prandeli thotë se nuk do të shkojë te Juventusi”.

Deklaratë e fortë, e cila e “gozhdon” trajnerin (nën kontratë deri në vitin 2011) dhe rrezikon të prishë marrëdhënien e tij me tifozerinë, që gjatë këtyre viteve e ka pasur idhull, pavarësisht se ai është një ish-juventin. Firence nuk e ka harruar lehtësisht “tradhtinë” e Roberto Baxhos dhe për këtë arsye duket e udhës që zemërimi të mos përsëritet. Në situatën e krijuar, Abete vendos të mos bëjë asnjë lëvizje.

Korrektesë maksimale e numrit 1 të FIGC-it, i cili është edhe mik i Dela Vales. Të gjithë e dinë se federata dëshiron ta zëvendësojë Lipin me Prandelin pas Botërorit 2010: trajneri “vjollcë” është preferenca e parë, në një listë me pak emra. Por, një gjë mund të thuhet me siguri: fillimisht Prandeli duhet të “lirohet” nga marrëveshja aktuale, e vetëm më pas institucioni që drejton futbollin përtej Adriatikut mund t’i paraqesë ofertën për kontratë 2-vjeçare. Megjithatë, duhet marrë në konsideratë edhe interesimi i Juventusit.

Kandidatë të tjerë për pankinën “axurre” është vështirë të gjenden. Ançeloti dhe Kapelo mbeten një ëndërr, e mbi të gjitha kushtojnë shumë. Ranieri është i lidhur me Romën, të cilën po e kthen në krye të Serisë A, ndërsa Spaleti nuk shihet si njeriu ideal. FIGC kishte shqyrtuar edhe alternativat Dino Xof (ish-trajner i Kombëtares) dhe Alberto Zakeroni: por, i pari nuk mendon të rikthehet në stol, ndërsa i dyti u “dogj” me Juventusin. Për këto arsye, tashmë po kuotohet hipoteza e konfirmimit të Lipit, deri në Euro 2012 në Poloni dhe Ukrainë. Kontrata e re mund të firmoset në fund të majit, përpara nisjes drejt Afrikës së Jugut. Aty pritet të ketë një klauzolë që lidhet me prishjen e njëanshme, në bazë të rezultateve që Italia do të regjistrojë në Kupën e Botës.

Top Channel