Manchester United dhe Chelsea fitojnë bindshëm

27/03/2010 21:30

Manchester United dhe Chelsea vazhdojnë të jenë pranë njëra-tjetrës në udhëtimin e tyre drejt titullit në Premier League.

Të dyja skuadrat fituan ndeshjet e tyre respektive, madje me rezultate të thella. Mancester United mundi Bolton 4-0 në fushën e këtij të fundit. Në pjesën e parë kampionët e Anglisë shënuan vetëm 1 gol duke u ndihmuar më shumë nga Samuel i Bolton, i cili shënoi autogol në portën e tij.

“Djajtë e Kuq” shpërthyen në pjesën e dytë kur shënuan edhe 3 herë të tjera me anë të Berbatov që realizoi një dygolësh dhe Nani. Nga ana e tij, Chelsea poshtëroi në “Stamford Bridge” Aston Villa-n me rezultatin e thellë 7-1. Protagonisti kryesor i kësaj fitoreje të skuadrës së drejtuar nga Ancelotti u bë mesfushori Frenk Lampard që shënoi plot 4 herë.

Pjesa tjetër e golave të realizuar, patën si autorë Malouda që shënoi dy herë dhe Salomon Kalou. Goli i nderit për Aston Vila-n u shënua nga Careë në minutën e 29-të të takimit. Në ndeshjet e tjera, Arsenal barazoi 1-1 me Birmingham në fushën e këtij të fundit, ndërsa Hull City mundi Fulham 2-0.

Fitore shënuan dhe Tottenham dhe Stoke City që mundën respektivisht Portsmouth 2-0 dhe West Ham 1-0. E vetmja ndeshje që nuk pati gola ishte ajo mes Wolverhampton dhe Everton që u mbyll 0-0.

Top Channel