Reali thyen tabunë Getafe

26/03/2010 00:20

Reali i  Madridit thyen më në fund tabunë Getafe. Skuadra madrilene siguroi një fitore spektakolare 4-2 në stadiumin “Alfonso Perez” të Getafes duke marrë në të njëjtën kohë edhe kryesimin në Primera Division.

Reali i Madridit hyri në fushën e lojës me synimin për të marrë këtë fitore në fushën e Getafes që konsiderohej si macja e zezë e tij  dhe ia arriti qëllimit.

Seria e golave për skuadrën merengues u hap në minutën e 13 me Kristiano Ronaldo që ekzekutoi në mënyrë të shkëlqyer një goditje dënimi.

Nuk vonoi shumë dhe Reali i Madridit dyfishoi rezultatin me argjentinasin Gonzalo Higuaìn në minutën e 20. Por furia madrilene nuk u ndal këtu. Vetëm 3 minuta më vonë, Higuaìn shënoi golin e tretë për skuadrën e tij dhe të dytin personal në këtë ndeshje.

Golit të Higuaìn i përgjigjet Kristiano Ronaldo, si për të konfirmuar konkurrencën e krijuar me argjentinasin për titullin si golshënuesi më i mirë i skuadrës.

Në minutën e 37 portugezi shënoi golin e katërt për Realin dhe të dytin për të. Nga ana e saj Getafe arriti të shënojë dy herë në portën e Kasijas. Goli i parë u shënua nga Pareho në minutën e 38 pas një dalje të pamenduar të portierit spanjoll, ndërsa të dytin e shënoi në minutën e 80 të ndeshjes me Pedro Leon.

Top Channel