Arrestohet ish-kampioni i Europës, Daniel Godelli

26/03/2010 12:45

Sportisti elitar i peshëngritjes, ish-kampioni i Europës në këtë sport, Daniel Godelli, është bërë personazh i kronikës së zezë.

Ai ka përfunduar në prangat e policisë, mbrëmjen e së enjtes, pasi është kapur me armë pa leje. Ka qenë pikërisht policia e Peqinit, ajo që e ka shoqëruar në komisariatin përkatës ish-kampionin e Europës në peshëngritje, Daniel Godellin.

Burime policore bëjnë të ditur, se Godelli ishte duke udhëtuar drejt Vlorës në kohën kur u kap me fishekë e detonatorë, ndërsa merret vesh se destinacioni i tij ishte Italia. Pas arrestimit të tij, policia e shtetit ka bërë kontroll në banesën e Godellit, ku ka gjetur municione luftarake.

Në këto kushte, pas kontrollit në banesë, policia ka shoqëruar edhe të atin e peshëngritësit, Sulejman Godelli. Operacioni u zhvillua nga policia e Vlorës dhe ajo e Elbasanit. Daniel Godelli, i datëlindjes 10 janar 1992, u bë i famshëm në korrik të vitit 2008, kur u shpall kampion i Europës në stilin e shkëputjes për 17-vjeçarët në Amiens të Francës.

Por, fama e tij u rrit një vit më pas, në kampionatin europian që u zhvillua në Durrës, ku u shpall kampion Europe në peshën 62 kg, në moshën 17-vjeçare. Ai mori dy medalje ari, në shkëputje dhe dygarësh, si edhe një argjendi në stilin e shtytjes. Ai ka marrë pjesë në shumë turne ndërkombëtarë, si dhe regjistron gjithsej pesë medalje.

Top Channel