Tirana përcan Strasburgun

25/03/2010 15:05

Përfundimisht ndasitë politike shqiptarë janë ulur këmbëkryq në mes të Parlamentit Europian me 736 eurodeputetë.

Vetëm një ditë më parë, të majtët europianë deklaruan se partitë e mazhorancës në Shqipëri nuk kanë dhënë një përgjigje të kënaqshme për kërkesat e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, që do të zhvillojë një hetim të plotë duke përfshirë edhe hapjen e kutive. Një ditë më pas, mazhorancës i del në krah një aleat i djathtë: kryetari i grupit të partive popullore, pra të djathta, Zhozef Daul.

“Ne e konsiderojmë thelbësore funksionimin e ligjit, respektimin e vendimeve të gjykatave, transparencën dhe parimet e ndarjes së pushteteve. Partia Socialiste mund t’i bëjë apel gjykatës për gjitha pretendimet e saj. Bllokimi i punës, protestat dhe kërcënimet për rikthimin e bojkotit dëmtojnë procesin dhe imazhin e Shqipërisë”, u shpreh Daul.

Kryetari i grupit të Partive Popullore e ka fjalën për procesin e liberalizimit të vizave, për të cilin nuk harron të përgëzojë qeverinë për përmbushjen e detyrimeve teknike. Deklaratat kontradiktore që vinë nga Parlamenti Europian, kanë megjithatë një emërues të përbashkët: nevojën për gjetjen e një zgjidhje të shpejtë të krizës.

Top Channel