
Hyn në fuqi detyrimi për të deklaruar dhe regjistruar pranë tatimeve kategorinë e atyre individëve që bëjnë punë shtëpie, shërbëtorët.
Detyrimi lindi pas urdhrit të Kryeministrit, sipas të cilit edhe shërbëtorët kanë të drejtë të përfitojnë pension si gjithë të tjetër, por më parë nevojitet regjistrimi i tyre në tatime.
Sa i takon kryefamiljarit, i cili në rastin konkret është një punëdhënës, duhet të derdhë çdo tre muaj kontributet shoqërore në llogarinë bankare të punëtorit të shtëpisë.
Kontributi mujor që duhet të paguajë kryefamiljari është 1200 lekë, pavarësisht pagës që merr shërbëtori, ndërsa për efekt pensioni, qeveria do të japë një pjesë të kontributit.
“Kryefamiljari, që punëson persona si punëtorë shtëpie, në momentin e paraqitjes për regjistrim në organin tatimor, duhet të dorëzojë atje kërkesën me shkrim, si dhe kopje të marrëveshjes së punës së nënshkruar ndërmjet palëve. Marrëveshja duhet të përmbajë numrin e sigurimit shoqëror, kohën e fillimit të punës, zgjatja e saj ‘me afat, pa afat’, si edhe pagën bruto mujore”, thuhet në paragrafin e dytë, pika 1 e udhëzimit.
Tatimet, pasi verifikojnë kërkesën për regjistrim, i dorëzojnë niptin kryefamiljarit brenda dy ditësh, ndërsa për këtë kategori punëdhënësish krijon një departament të veçantë. E njëjta gjë ndodh edhe me çregjistrimin, përgjigjja e së cilës jepet pas dy ditëve.
Kryefamiljari duhet të paguajë kontributet e punëtorëve të shtëpive, edhe pse mund të jenë të punësuar paralelisht në vende të tjera dhe anasjelltas.
Pas përfundimit të të gjitha procedurave, punëtorët e shtëpive, ashtu si edhe ambulantët dhe vetë të punësuarit, pajisen me librezën e kontributit, nga strukturat e sigurimeve shoqërore, duke vendosur shënimin “të siguruar vetëm për pension”.
Top Channel