Erozioni, nis studimi i zonës bregdetare

25/03/2010 09:45

Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për miradministrimin e territorit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të tokave bregdetare, u zhvillua dje nën drejtimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit mbledhja e grupit ndërinstitucional të punës, për kryerjen e studimit të gjendjes së erozionit detar dhe përcaktimin e masave të mbrojtjes ndaj tij.

Grupi i punës do të bashkëpunoje me Bankën Botërore dhe me PNUD për realizimin e këtij studimi të  rëndësishëm për bregdetin shqiptar.

Studimi i vijës bregdetare që nga Velipoja deri në Nartë do të evidentojë gjendjen e vijës bregdetare, si edhe tendencat erozive të detit, si pasojë e ndryshimeve klimaterike.

Studimi synon të jetë  konkret e kompleks dhe do të përfshijë planin e veprimit dhe masat e ndërhyrjet eventuale afatshkurtra, afatmesme e afatgjata, të cilat mund të ndërmerren me qëllim frenimin e fenomenit të erozionit detar.

Në të, do përcaktohet gjithashtu kostoja financiare e ndërhyrjeve në segmente të caktuara të vijës bregdetare, si dhe kostoja e përgjithshme për një ndërhyrje të gjerë e të plotë.

Ministritë, institutet shkencore dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore do vënë  në dispozicion të grupit të studimit ekspertët më  të kualifikuar të kësaj fushe, si dhe gjithë të dhënat që mund t’i shërbejnë kryerjes në kohë e cilësi të këtij studimi.

Top Channel