Dhunohet vëzhguesi i FSHF-së, Sazan Velcani

25/03/2010 15:35

Sazan Velcani, është viktima e rradhës e dhunës në futbollin shqiptar.

I ndodhur në Librazhd me detyrën, vëzhguesi i ndeshjes Sopoti–Burreli, Velcani është rrahur në përfundimin e sfidës nga presidenti i klubit matjan, Murat Koliqi dhe disa futbollistë të kësaj skuadre.

Është dashur ndërhyrja e forcave të policisë që Velcani të shpëtojë nga demtime edhe me të rënda dhe të dërgohet në spitalin e Librazhdit. I kontaktuar në telefon nga Top Channel, vëzhguesi i FSHF-se, Velcani, ka deklaruar se dhuna erdhi si pasojë e zbatimit të rregullores së FSHF-së nga ana e tij.

“Kërkova nga Koliqi që të mos ulej në pankinën e skuadrës. Pjesën e dytë e pa ndeshjen në tribunë, por në përfundimin e ndeshjes cuditërisht erdhi së bashku me 2 lojtarë të stolit dhe më dhunuan”, tha Velcani.

Ndërkohë policia e arrestoi menjëherë pas ngjarjes presidentin e Burrelit, Murat Koliqi me akuzën e goditjes për shkak të detyrës. Koliqi vazhdon të mbahet në dhomat e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë në Elbasan dhe të premten pritet të merret masa e sigurisë në gjykatën e këtij rrethi.

Përsa i përket arrestimit të Koliqit, Velcani tha se nuk dëshiron që cështjet e sportit të zgjidhen në gjykata civile, por në organet e drejtësisë sportive. Nuk është hera e parë që personat VIP bëhen protagonistët e dhunës në futbollin shqiptar.

Disa kohë më parë, presidenti i FSHF-se Armand Duka deklaroi se institucioni që ai drejton do të pergatisë një draft–ligj për të forcuar dënimet ndaj akteve dhe aktorëve të dhunës në sport, një nismë kjo e mbështetur edhe nga ministri i Sporteve, Ferdinand Xhaferri.

Top Channel