Nga Brukseli janë drejtuar sytë e miliona grekëve, disa orë para fillimit të samitit të 25 dhe 26 marsit, aty ku duket se zhvillohen prapaskena tepër intensive diplomatike.

Athina është tepër e shqetësuar për faktin nëse do të aprovohet krijimi i një mekanizmi ekonomik mbështetës për vendet me borxhe të mëdha. Por sipas burimeve diplomatike, duket se ky mekanizëm do të funksionojë vetëm nëse Greqia nuk do të mund të marrë kredi në tregjet ndërkombëtare.

“Nuk kërkojmë ndihmë ekonomike nga askush, kërkojmë vetëm mbështetje politike. Këmbëngulim që zgjidhja duhet të gjendet brenda kuadrit europian, sepse e dimë që Europa edhe mundet dhe duhet të tregojë qëllimet e saj”, shprehet Jorgos Petalotis, zëdhënës i qeverisë greke.

Pavarësisht se tashmë Athina zyrtare kërkon një mbështetje financiare vetëm brenda kuadrit të BE-së, duket se edhe Franca përkrah Gjermaninë për mundësinë e implikimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në dhënien e ndihmës për Greqinë.

Kryeministri Papandreu ndodhet qysh në mbrëmjen e së mërkurës në kryeqytetin belg dhe duket se ka marrë përkrahjen e socialistëve europianë të cilët kundërshtojnë përfshirjen në ndihmën greke të FMN-së dhe propozojnë krijimin e një fondi europian i cili do të ndihmojë me kredi me norma të ulëta interesi, vendet në nevojë të eurozonës.

Në Greqi qytetarët ndjekin me shqetësim zhvillimet, ndërsa vazhdojnë protestat në vend ndaj masave antikrizë. Në grevë treditore janë juristët, ndërsa javën e Pashkëve paralajmërojnë për grevë të përgjithshme ekuipazhet e të gjitha anijeve dhe trageteve.

Top Channel