Schumi: Australia do më rikthejë në nivele të larta

24/03/2010 13:20

Michael Schumacher u lëshon sfidën kundërshtarëve për garën e kësaj fundjave në Melbourne.

“Australia ka qënë përherë një nga momentet më të rëndësishme të Formula 1 dhe kjo gjë nuk ka ndryshuar edhe sot. Si në të shkuarën edhe këtë herë erdha disa ditë më parë për t’u stervitur sa më shumë. Është një pistë të cilën dua ta shijoj sa më parë. Kam shumë kujtime të bukura sepse kam bërë gara interesante. Jam i kënaqur me garën e parë. Vendi i gjashtë është vërtetë një rezultat i mirë për mua pasi kam garuar shume pak me një makinë të Formula 1 që pas tërheqjes në vitin 2006. Melbourne do më ndihmojë të rigjej ritmin”, shprehet ish 7 herë kampioni i botës në faqen e tij në internet.

Ndërkohë, shefi i skuderisë Mercedes GP, Ross Brawn parashikon një fundjavë pozitive. “Skuadra bëri një punë të mirë në Bahrein edhe pse nuk ishim në nivelin e duhur. Për ta bërë veturën më të shpëjtë kemi një plan zhvillimi dhe gjatë kalimit të garave do përmirësohemi. Shpresoj të shikojmë një garë të bukur në Albert Park”, thekson Brawn.  

Top Channel