Refuzohet klubi kosovar

24/03/2010 17:30

Thuhet që sporti kapërcen çdo kufi dhe simbolizon bashkimin, por ndonjëherë kufijtë burokratikë janë më të vështirë, bile të pamundur për t’u kaluar.

Për të dytin vit rresht skuadra e të rinjve të Kaçanikut në Kosovë, po përpiqet të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar të futbollit “Qyteti i Agropolit”, në zonën e Salentos, në jug të Italisë.

Megjithëse Italia e ka njohur shtetin e Kosovës, të njëjtën gjë nuk ka bërë Federata Italiane e Futbollit e cila nuk ka dhënë autorizimin për pjesëmarrjen e skuadrës kosovare në aktivitete ndërkombëtare.

Përgjegjësi i këtij turneu sportiv, që sivjet do të mbledhë rreth vehtes rreth 100 skuadra djemsh e vajzash nga shumë vende të botës, shpjegoi për Top Channel se Federata Italiane e Futbollit i bindet FIFA-s e cila akoma nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Si rrjedhojë klubet kosovare mbeten të përjashtuara nga turnetë e këtij lloji.

Mes të rinjve që më 30 mars do të marrin pjesë në hapjen e turneut, edhe këtë vit do të mungojnë kosovarët, të cilët kanë mbetur jashtë edhe pse këtë herë, çuditërisht, politika ka ecur përpara sportit.

Top Channel