Kupa, Besa barazon me Shkumbinin

24/03/2010 18:10

U luajtën sot, dy gjysmëfinalet e Kupës së 58-të të Shqipërisë. Në Kavajë, ndryshe nga sa pritej, Besa vendase është shfaqur e plogësht dhe pa nerv në lojën e saj.

Fusha e keqe ka favorizuar si duket miqtë, të cilët, kanë “prodhuar” 90 minuta mjaft pozitive në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë.

Kanë kaluar të parët në epërsi, në minutën e 5-të, me anë të Bakiut, duke i befasuar vendasit, të cilët mezi e kanë rimarrë veten, për të barazuar me anë të Daniel Xhafës, në minutën e 26-të.

Më pas loja është zhvilluar më shumë në gjysmëfushën e peqinasve, të cilët kanë preferuar të mbrohen mirë dhe të kundërsulmojnë rrezikshëm.

Por barazimi 1-1 përmbyll edhe 45 minutat e para të lojës.

Pjesa e dytë nis me më shumë ritëm nga kavajasit, por sërish vendasit nuk kanë qartësinë e duhur, për të shkuar te goli.

Mungojnë rastet e pastra për gol të Besës, ndërkohë që miqtë nga Peqini, vecanërisht në 10 minutat e fundit të ndeshjes, shpërdorojnë dy raste të arta për gol.

Ky rezultat favorizon për kualifikimin e mëtejshëm skuadrën e Shkumbinit e cila do të luaj në fushën e saj ndeshjen e kthimit.

Në Durrës është zhvilluar një ndeshje e tensionuar, ku vendasit arritën të fitonin edhe pse minimalisht 1-0 me gol të Miles në minutën e 45-të.

Skuadra mike e Vllaznisë e mbylli ndeshjen me 9 lojtarë pas daljes me kartonin e kuq të Mvraljevic dhe Feniks.

Top Channel