Kriza, borxhi shqiptar deklasifikohet

24/03/2010 08:10

Qeveria shqiptare humbi një pikë në vlerësimin e aftësisë së vet borxhpaguese si pasojë e përkeqësimit të përgjithshëm makroekonomik të shkaktuar nga kriza botërore.

Lajmi u dha nga kompania “JCR Euroasia Ratings”, e cila kryen për çdo vit vlerësimin e cilësisë së borxhit publik shqiptar për llogari të Ministrisë së Financave.

“‘JCR Eurasia Rating’ uli me një pikë vlerësimin e borxhit sovran afatgjatë të Republikës së Shqipërisë nga BB+ në BB, ndërkohë që vlerësimi për borxhin afatshkurtër mbetet B. Të gjitha vlerësimet paraqesin një të ardhme stabël”, deklaroi kompania në një deklaratë për shtyp.

Vlerësimi është ulur për shkak të dobësimit të përgjithshëm të treguesve makroekonomikë, që kanë rëndësi në përcaktimin e cilësisë së borxhit. Treguesit janë përkeqësuar si pasojë e recesionit në ekonominë botërore”, tha JCR.

“Cilësia e keqe e infrastrukturës, niveli i ulët i të ardhurave, sistemi i pazhvilluar i institucioneve të tregut si dhe borxhi i jashtëm i lartë janë faktorët kryesorë negativë që sjellin këtë vlerësim. Për më tepër, deficiti i lartë tregtar e buxhetor në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto si dhe rënia e PBB-së për frymë gjatë vitit të fundit, i kanë shtuar shqetësimet. Megjithatë, në frontin ekonomik dhe politik parashikohet stabilitet pasi zgjedhjet parlamentare u zhvilluan në qershorin e kaluar dhe qendra e djathtë u rizgjodh”, thotë JCR.

Kompania e pati paralajmëruar Shqipërinë në prill të vitit të kaluar se vlerësimi i borxhit të saj po përkeqësohej si pasojë e “shpenzimeve paraelektorale të karakterit populist të ndërmarrë nga qeveria”.  

Vlerësuesit e cilësisë së borxhit publik masin aftësinë e një vendi për të shlyer detyrimet e veta ndaj kreditorëve. Kreditorët më të mirë, të cilët janë vendet e zhvilluara, marrin zakonisht vlerësimi me tre A ose AAA. Kjo do të thotë se qeveritë e këtyre vendeve janë 100 për qind të afta të shlyejnë borxhet e veta. Kreditorët mes vendeve në zhvillim marrin vlerësim me një, dy apo tre B. Këto konsiderohen si borxhmarrës spekulativë dhe rreziku i moskthimit të borxheve në kohë, është i lartë. Shqipëria e kishte vlerësimin fillestar me një B, ndërsa u deklasifikua dje në dy B në borxhin afatgjatë.

Kjo gjë do të thotë që qeveria shqiptare mund të mos jetë në gjendje të shlyejë borxhet e veta pas disa vitesh. Një deklasifikim në vlerësim ka pasojë të drejtpërdrejtë në interesat e borxhit publik. Kështu, sa më i lartë të jetë vlerësimi, aq më i ulët është interesi e anasjelltas. Rënia në klasifikimin e borxhit ishte e pritshme dhe e parashikuar nga ekspertët e Ministrisë së Financave, të cilët i këshilluan qeverisë të ulë shpenzimet e programuara për vitin 2010 me rreth 400 milionë dollarë. “Pa uljen e shpenzimeve është e pamundur që Shqipëria të marrë një vlerësim pozitiv”, shkruante Ministria e Financave në një letër konfidenciale që i dërgohej qeverisë dhe që u publikua nga gazeta “Shqip”.

Por Kryeministri Sali Berisha e refuzoi këtë propozim, duke deklaruar publikisht se nuk kishte mendim të mirë për agjencitë e vlerësimit. “Vlerësuesit janë vetë për t’u vlerësuar”, deklaroi ai, ndërsa miratoi ulje të shpenzimeve vetëm në masën 250 milionë dollarë.  

Top Channel