Gjysmëfinalet e Kupës, sot luhet futboll

24/03/2010 13:25

Shqipëria sot mban frymën për ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.

Kjo ndodh për faktin se, e vetmja mundësi për të parë futbollin e vërtetë është pikërisht kompeticioni i dytë për nga prestigji në këtë fundsezoni, pasi kampionati, pas hijeve të fundit të dyshimit për fiksime rezultatesh në mbi 80% të ndeshjeve të javës së 24-t, është kthyer në një teatër, duke humbur thuajse plotësisht besimin e të gjithëve.

Një tjetër faktor që ndikon krijimin e bindjes se sot luhet futboll i vërtetë është se të katër ekipet e përfshira në këtë garë janë ambicioze, pasi e shikojnë kupën si mundësinë e vetme për të shmangur dështimin e gjithë sezonit, por edhe për të pasur një derë të hapur për në Kupat e Europës. Të dy duelet paraqesin shumë interes për vetë specifikat e tyre të veçanta.

Nga katër skuadrat gjysmëfinaliste, vetëm Shkumbini nuk e ka fituar ndonjëherë Kupën. Vllaznia e ka fituar 6 herë (e fundit në vitin 2008), Teuta 3 herë (2005) dhe Besa një herë (2007). Teuta dhe Vllaznia formojnë një dyshe ambicioze në kërkim të një vendi në Ligën e Europës, të cilën mund ta arrijnë vetëm përmes fitimit të Kupës së Shqipërisë, nisur dhe nga pozicionet e tyre në renditje.

“Nuk është më e njëjta periudhë, kur Teuta ishte ‘Macja e Zezë’ e Vllaznisë. Gjithsesi, ne do të ishim të kënaqur edhe me një barazim pa gola në ndeshjen e parë, për ta luajtur kualifikimin në fushën tonë, pasi objektivi i Vllaznisë është Kupa, që të paktën të mos ta mbyllim këtë sezon pa asnjë trofe”, konfirmon trajneri i shkodranëve, Edi Martini.

Ndërsa kapiteni i Teutës, Vangjel Mile, kundërpërgjigjet: “Ndeshja me Vllazninë është një ‘gur prove’ për kthesën tonë. Synojmë finalen e Kupës së Shqipërisë”. Teuta ka fituar 3 nga 9 finalet e diskutuara, e fundit në vitin 2005. Skuadra shkodrane ka mbërritur 12 herë në finale, duke fituar 6 prej tyre, e fundit në vitin 2008.

Besa, e cila mban vendin e dytë në kampionat, edhe pse me disa ndeshje komprometuese, do të përballet në Kavajë me Shkumbini. Vendasit, që nga ana e tyre e kanë fituar vetëm një herë Kupën e Shqipërisë, duke mposhtur në finale Teutën (3-2) në edicionin 2006-2007, eliminuan në çerekfinale kampionen në fuqi dhe finalisten e sezonit të kaluar të Kupës, Tiranën, ndërkohë që Shkumbini mbërrin në gjysmëfinale, duke eliminuar liderin dhe kampionen e ardhshme të Superligës, Dinamon, madje duke i mundur dy herë blutë.

Trajneri i Besës, Shpëtim Duro, pranoi se Kupa ka specifikë tjetër, duke theksuar: “Kundërshtari vjen pas një cikli pozitiv rezultatesh, por Besa ka dëshmuar pjekuri dhe ka përgjegjësi të madhe në këtë tur gjysmëfinal. Megjithatë, nuk është ndeshje e lehtë”.

Top Channel