Cana, një kapiten edhe në tribunë

24/03/2010 13:30

Lorik Cana ka munguar në dy ndeshjet e fundit që Sandërlendi ka luajtur në Premiershipin anglez për shkak të pezullimit, megjithatë mesfushori shqiptar e ka bërë detyrën si kapiten edhe nga tribuna.

Edhe pse kundër Mançester Sitit dhe Birmingamit 26-vjeçari nuk u aktivizua, ai ka vazhduar ta motivojë skuadrën. Kuqeziu kishte plotësuar numrin e dhjetë kartonëve të verdhë, në përballjen me Boltonin, por e shfrytëzoi ndikimin mbi skuadrën gjatë seancave stërvitore dhe me udhëzimet nga distanca.

Sot në mbrëmje Cana kthehet në fushë, në sfidën që “macet e zeza” do të luajnë kundër Aston Vilës, ekipit surprizë që pretendon një vend në Champions League.

“Është normale mos të luash kur je i dëmtuar, nuk ka asgjë të keqe. Por, kur je i gatshëm dhe detyrohesh të qëndrosh jashtë fushës prej pezullimit, është mjaft e vështirë. Asnjë lojtar nuk e ka të lehtë ta shohë skuadrën duke luajtur pa të. Gjithsesi, jam munduar t’i ndihmoj shokët e skuadrës, edhe pse nuk isha në fushën e lojës: kam qëndruar me ta në stadium dhe u kam folur. Mendoj se edhe këto janë gjëra mjaft të rëndësishme”, deklaroi lojtari i Sandërlendit për faqen zyrtare të klubit.

Më tej, Cana ka shpjeguar edhe rëndësinë e të qenit kapiten i skuadrës, që në shumë raste tifozët nuk arrijnë ta shohin apo ta kuptojnë.

“Roli i kapitenit është i rëndësishëm dhe më takon mua që të jem i sigurt se të gjithë futbollistët janë në formën e duhur që ta ndihmojnë skuadrën. Në këto pozita duhet të komunikosh me të gjithë dhe kushdo mund të vijë për të diskutuar me mua nëse ka dëshirë. Kjo është pjesë e detyrave kur je kapiten. Gjëja më e rëndësishme kur mban shiritin është që të udhëheqësh duke qenë një shembull për të gjithë shokët. Gjithashtu ka mjaft rëndësi ta ndihmosh ekipin si në fushë, ashtu edhe jashtë saj dhe që të gjithë ata që punojnë në këtë klub të kenë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin”, përfundoi ai.

Top Channel