Bastet, 70 në pranga në Turqi

24/03/2010 15:30

Skandali i basteve në futboll ka tronditur së fundmi edhe Turqinë. Më shumë se 70 persona, mes të cilëve edhe dy fitues të Kupës UEFA me Gallatasarajin e vitit 2000, janë arrestuar me akuzën për përfshirjen e tyre në trukimin e rezultateve të ndeshjeve të kampionatit vendas.

Policia, gjatë një operacioni i cilësuar si më i madhi i viteve të fundit, ka ndaluar 31 futbollistë dhe drejtues skuadrash, në 10 qytete të ndryshme turke.

Mes të ndaluarve ishin edhe dy fituesit e Kupës UEFA me Gallatasarajin, Arif Erdem, aktualisht zëvendëstrajner, Fatih Akjel, futbollist i një skuadre në kategorinë e tretë, si dhe 4 futbollistë të skuadrave të superligës turke.

Bëhet fjalë për 2 ndeshje të superligës turke dhe disa ndeshje të tjera të kategorive inferiore.

Mediat turke cilësojnë se këto arrestime dhe shoqërime në polici janë vazhdimi i operacioneve që ndodhën në Gjermani disa muaj më parë, ku u arrestuan 15 persona në Gjermani dhe dy në Zvicër.

Sipas mediave vendase, mes të arrestuarve janë edhe dy persona që bënin lidhjen mes organizatës kriminale që vepronte në botën e basteve të paligjshme në Gjermani dhe futbollistëve turq.

Top Channel