Të varfërit shesin bonot

17/03/2010 20:35

Edhe pse tregu favorizon blerjen e bonove të privatizimit për shkak të legalizimeve të pritshme me këto letra me vlerë, qytetarët janë më të interesuar t’i shesin ato.

Tregtarët e bonove në tregun e lirë në kryeqytet thonë se është rritur shitja e bonove nga individët, kryesisht për arsye ekonomike.

Sot në treg bonot blihen nga tregtarët me vetëm 12 përqind të vlerës së emëtuar. Që do të thotë që per bono 100 mijë lekëshe qytetarët mund të marrin kesh vetem 1200 lekë.

Tregtarët thonë se shitësit e bonove janë kryesisht individë me të ardhura të pakta. Ndërkohë, kërkesa per të blerë bonot e privatizimit mbetet ende e ulët.

Sot një bono shitet nga tregtarët për 12.5 % të vlerës së emëtimit. Në fund të javës së kaluar një bono privatizimi u ble dhe u shit më shtrenjtë, përkatesisht me 15 dhe 15.5 përqind të vlerës.

Por sërish këtë javë vlera monetare e bonove ra. Tregtarët thonë se lajmet se në treg do të aktivizohen bonot e privatizimit të mbledhura dikur nga fondi “Aglo-Adriatika”, uli vlerën e bonove.

Përgjithësisht tregu i letrave me vlerë mbetet i vakët dhe me shumë pak transaksione ditore dhe me vlerë të ulët.

Edhe pse pak dite më parë Aluizni njoftoi se ka filluar të pranojë një pejsë të pagesave për legalizimin e banesave dhe trojeve me bono privatizimi, tregtarët thonë se tregu nuk ka njohur rritje.

Sipas tyre, shumica e blerjeve nga individet tregon se familjet janë vendosur ne vështirësi financiare pasi janë të gatshëm të këmbejnë një bono privatizimi me para në dore, kundrejt një vlere që konsiderohet tepër e ulët.

Top Channel