Nisma per komisionin hetimor miratohet ne parim

15/03/2010 12:45

“Norma e re ne kete projektligj qe kerkohet te miratohet, parashikon se nje nder veprimet hetimore mund te jete edhe hapja e nje apo disa kutive te materialeve zgjedhore apo fleteve te votimit. Rrezimi i ketij neni do te thote praktikisht edhe rrezimi i vete iniciatives. Kjo eshte thelbesore, por jo e panegociueshme”.

Me kete fjali, te thene per here te pare gjate gjithe ketyre diteve te diskutimit ne Komisionin e ligjeve, socialistet kane hapur nje shteg kompromisi ne momentet e fundit, perpara se nisma e tyre per hetimin e zgjedhjeve, nepermjet hapjes se kutive te votimit, te diskutohet te enjten ne Parlament.

Socialisti Fatmir Xhafa, per t’iu rrezuar demokrateve argumentin e gjykatave, per here te pare permendi si hapesire kompromisi keqyrjen nga Parlamenti vetem te kutive me materialet zgjedhore dhe jo te kutive me fletet e votimit.

“Mosmarreveshja juridike ne gjykate ka qene e lidhur me te drejten proceduriale per rinumerimin dhe rivleresimin e fleteve te votimit dhe jo me kutite e materialeve te votimit. Duke vijuar me kete lloj arsyetimi, atehere nuk do te rezultonte asnje pengese, te pakten per te hapur kutite e materialeve zgjedhore, perderisa nuk ka nje vendim gjykate qe te jete shprehur per keto kuti. Ju jeni te gatshem per ta bere nje gje te tille? Sipas nesh, dhe mesa degjuam, sigurisht qe jo! Nuk ju lejon urdhri politik”, ka deklaruar Xhafa.

Megjithese zoti Xhafa shprehu opinion negativ, nese mazhoranca do te pranoje te luaje ne keto hapesira te reja, qe shmangin hapjen e kutive me fletet e votimit, kryetari i Komisionit te ligjeve, demokrati Ilir Rusmali, nuk e mohoi gjate diskutimit te tij kete mundesi. Ai permendi fjalen “kompromis”, duke iu referuar Kushtetutes.

“Une besoj shume se ne do ta gjejme kompromisin per kete projektligj, sepse sa here ka patur kriza politike, njerezit e mencur, ne Shqiperi dhe gjetke, zgjidhjen e kane gjetur tek ligji, tek Kushtetuta dhe tek rregullat e lojes. Por, sa here krizat politike prodhohen per te ndryshuar ligjin, Kushtetuten apo rregullat e lojes, ato deshtojne”, ka pohuar Rusmali.

Sesi do te vazhdoje te luhet loja, kete do ta percaktoje dita e marte, kur komisioni te marre ne shqyrtim nen per nen nismen e socialisteve dhe amendamentet qe do te paraqesin demokratet.

Eshte ende heret te behet nje parashikim, persa kohe u duk qarte mosbesimi tek njeri-tjetri dhe c’eshte me e rendesishme, kur socialistet lidhen me kete proces hetimi, fatin e zgjedhjeve te ardhshme lokale, nje vit me pas.

“Ne jemi te hapur per negocim politik dhe ligjor per projektin qe kemi paraqitur. Ne jemi te gatshem qe deri ne momentin e fundit te negociojme rreth iniciatives sone, per te cilen ne jemi te lire te vendosim ne permbajtje dhe ne procedure. Rrezimi i ketij projekti do te ishte nje hap mbrapa dhe me pasoja. Nese ju merrni kete vendim, ceshtja nuk shtrohet me se cfare ndodhi me zgjedhjet e qershorit te vitit te kaluar, por se cfare do te ndodhe me zgjedhjet e pritshme. Pas kesaj do te duhet te themi me ze shume me te larte, te reagojme shume me fuqishem, se zgjdhjet e ardhshme jane ne rrezik, liria e votes mbetet e dhunuar dhe demokracia seriozisht e kercenuar”, ka shtuar Xhafa.

Nje parashikim per fatin e zgjedhjeve te ardhshme bene edhe demokratet, por nga nje kendveshtrim krejt i kundert, duke e lidhur ate, sipas Ilir Rusmalit, me mungesen e vullnetit te opozites per te ndryshuar administrimin e zgjedhjeve nga komisioneret partiake, apo per vazhdimin e keqperdorimit te tyre kunder integritetit te procesit elektoral.

“Fakti qe zoti Rama e ngre me force rastin e Ruzhdies ne te gjitha institucionet nderkombetare dhe harron te thote, kudo ku ka shkuar, qe Ruzhdia pikenisjen e ka patur nga nje urdher politik per te braktisur komisionin, tregon se zoti Rama, kete, qe eshte shenje e paster keqbesimi, rrezik qe neser e kthen ne platforme elektorale te partise se vet. Ruzhdia eshte gjeja nga e cila duhet te kemi frike te gjithe, sepse shume bukur, ne zgjedhjet e ardhshme mund te kete nje urdher politik per braktisjen e menaxhimit te procesit ne te gjithe Shqiperine. Atehere demokracia bie ne kolaps”, ka theksuar Rusmali.

Me gjithe paralajmerimet pesimiste dhe alarmante qe palet i bene njera-tjetres, mbledhja kishte nje produkt konsensual, miratimin me vote unanime te nismes se Partise Socialiste per hetimin e zgjedhjeve nga nje komision parlamentar. Por, ky eshte vetem nje miratim ne parim, qe tregon se vetem vullneti eshte i njejte, ndersa mjetet e hetimit jane te ndryshme. Te pakten deri tani.

Top Channel