Ceremonia funebre e Panos, ditë zie kombëtare

22/01/2010 12:00

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e shpalli ditën e ceremonisë funebre të legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano, ditë zie kombëtare.

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, numri një i ekzekutivit i ftoi të gjithë të pranishmit që të mbanin një minutë heshtje, në nder të “Mbretit” të sportit më popullor në vend, i cili u nda nga jeta pas një infarkti në SHBA, vend ku ndodhej për një vizitë familjare te vajza e tij.

“Futbolli shqiptar është në ditë zie, por në zi janë edhe mbarë shqiptarët. Panajot Pano ka marrë vlerësimet më të mëdha dhe më të merituara nga të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe mbarë kombit shqiptar, nga institucionet më të larta të vendit, nga organizmat kryesorë të sportit ndërkombëtar. Në nderim të legjendës të pavdekshme që ai la pas, por dhe nderim i mbarë shqiptarëve që e deshën aq shumë futbollistin e papërsëritshëm, qeveria vendosi sot të shpallë zi Kombëtare ditën e ceremonisë funebër”, deklaroi Berisha.

“Me talentin e tij të lindur, dhuntitë e jashtëzakonshme dhe shpirtin e pamposhtur në periudhën kur luante, por edhe me popullaritetin që gëzonte në jetën e përditshme, Pano ishte për dekada futbollisti që mbushi me krenari, entuziazëm dhe gëzim zemrat e të gjithë sportdashësve shqiptarë, zemrat e mbarë shqiptarëve”.

Kryeministri theksoi gjithashtu se ceremonia do të përballohet nga fondet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndërsa në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri do të ulet në gjysmë shtizë.

“Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar të ulet në gjysmë shtizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje. Gjatë zhvillimit të ceremonialit, Radio dhe Televizioni Publik Shqiptar do të transmetojnë muzikë funebër”, theksoi ai.

Trupi i pajetë i Panajot Panos momentalisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa shpenzimet për kthimin e tij në vendin tonë janë marrë përsipër nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Fondet e akorduara nga MTKRS dhe FSHF janë një gjest fare simbolik në krahasim dhe figurën e 71-vjeçarit, i cili është padyshim emri më i madh i sportit të top-këmbës në vend.

Për kualitetin e jashtëzakonshëm dhe kontributin e tij të madh në futbollin shqiptar, Pano ishte vlerësuar me çmime dhe dekorata të të gjitha niveleve: nga “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe “Nderi i Sportit Shqiptar” për të vazhduar me Urdhrin e Artë “Mjeshtër i madh” dhe Urdhrin e Artë “Naim Frashëri”. Në nëntor të vitit 2003, me rastin e jubileut të UEFA-s, ai u shpall gjithashtu “Lojtari i Artë” në Shqipëri, ndërsa në vitin 2005, ai u shpall “Futbollisti shqiptar më i mirë i shekullit”, sipas një liste me 100 lojtarë të publikuar nga FIFA për secilin vend anëtar. Në vitin 2009, me rastin e 70-vjetorit të lindjes, Pano u nderua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me medaljen e artë “Nderi i Kombit”, duke u bërë sportisti i parë në vend që vlerësohet me këtë titull.

Top Channel