Grumbullimi, 156 talente për U-19 e U-21

19/01/2010 12:00

Dita e parë e grumbullimit stërvitor me talentet shqiptare që jetojnë dhe luajnë në Greqi ka filluar me një rekord mbresëlënës: plot 156 futbollistë të rinj, nga mosha 17 deri në 20 vjeç janë regjistruar për të marrë pjesë në seleksionimin për një fanellë kuqezi.

Një shifër e jashtëzakonshme, e cila pa dyshim lidhet me faktin se në aktivitetin e organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në shtetin fqinj, prezent ishte edhe trajneri Josip Kuzhe.

Prezenca e drejtuesit të stolit të Kombëtares shqiptare i ka dhënë një shtysë më shumë lojtarëve të rinj shqiptarë që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës: mjaft prej këtyre sportistëve shpresojnë që duke lënë përshtypje të mira te tekniku kroat, do ta kenë më të lehtë që të kenë sukses në ambicien për të përfaqësuar vendin e origjinës në arenën ndërkombëtare.

Në kryeqytetin helen, Athinë, interesimi në përmasa të tilla kishte filluar prej disa ditësh.

Për testimin me ekipin Under-21 të drejtuar nga trajneri Artan Bushati janë regjistruar 60 kandidatë, ndërsa për U-19 të Ramadan Shehut shifra e pjesëmarrësve ka qenë edhe më e madhe, plot 96 futbollistë. Në ditën e parë të grumbullimit u zhvilluan seanca stërvitore, por edhe ndeshje kontrolli me të gjitha grupmoshat e datëlindjeve 1990, 1991, 1992 dhe 1993.

Stërvitja do të vazhdojë sot, me të tjera seanca taktike dhe ndeshje për të evidentuar elementët më cilësorë, të cilët do të kenë shansin të bëhen pjesë e Kombëtares shqiptare në të ardhmen.

Përveç dy trajnerëve të ekipeve, stërvitjet janë vëzhguar nga afër nga Kuzhe dhe asistenti i tij, Xhemal Mustedaganiç, të cilët pritet të japin orientimet dhe idetë e tyre për talentet më premtues dhe metodën e punës që duhet ndjekur për rritjen e tyre.

Grumbullimi stërvitor do të vazhdojë deri më datën 21 janar (të enjten), në mënyrë që të gjithë lojtarët të kalojnë në “sitë” dhe vlerësimet për kualitetin e tyre të jenë sa më të drejtë.

Pasi është përdorur më parë me skuadrat e moshave U-15 dhe U-17, metoda për të vëzhguar talentet në vendet ku jetojnë po shfaqet më rezultative se asnjëherë tjetër.

Nëpërmjet saj është bërë e mundur që numri i kandidatëve për një fanellë kuqezi në të gjitha nivelet të jetë disa herë më i lartë se në periudhën kur seleksionime të tilla zhvilloheshin në Shqipëri: jo të gjithë futbollistët arrinin të siguronin leje nga klubet për të marrë pjesë në seleksionime. Në këtë mënyrë bëhet i mundur evidentimi i lojtarëve premtues që në moshë të vogël dhe angazhimi i tyre i menjëhershëm, duke evituar “humbjen” e tyre si në rastet e Ninit, Behramit, Xhemailit apo edhe shumë të tjerëve.

Top Channel