Disiplina “liron” gjashtë lojtarët rebelë

19/01/2010 12:25

Vendimi i marrë gjatë mbrëmjes së djeshme nga Komisioni i Disiplinës në FSHF praktikisht ka shkatërruar skuadrën e Skënderbeut.

Gjashtë lojtarë që kanë qenë pjesë e skuadrës korçare në fillim të sezonit janë lejuar të largohen nga klubi, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve financiare.

Në këtë mënyrë, kapiteni Blendi Shkëmbi, Genti Gjondeda dhe katërshja kroate, Matko Djamarti, Miliam Guerrib, Antonio Rukavina dhe Marjan Tomasiç janë të lirë të gjejnë një tjetër skuadër për të vazhduar karrierën.

“Disiplina ka pranuar kërkesat e të gjithë këtyre lojtarëve për të zgjidhur kontratat me Skënderbeun dhe vendos që ata të jenë të lirë. Kjo për shkak se klubi nuk ka respektuar detyrimet e parashikuara në kontratë”, citohej në vendim.

Me ndërhyrjen e Disiplinorit, duket se ka marrë fund edhe telenovela e transferimit të Shkëmbit te Besa: tashmë që ish-mesfushori i Kombëtares është një lojtar i lirë, ai mund t’i bashkohet skuadrës së drejtuar nga Shpëtim Duro.

Top Channel