Cana u kërkon falje tifozëve

19/01/2010 12:10

Lorik Cana, i shokuar të dielën në mbrëmje, u ka kërkuar falje tifozëve të Sandërlendit pas “horror-shou-”t në “Stamford Bridge”.

Ndërsa trajneri Stiv Brus u shpreh shumë i tronditur nga kjo humbje e thellë, kapiteni shqiptar i “Maceve të Zeza” thekson se është koha që lojtarët të ngrenë duart dhe të marrin përsipër përgjegjësitë.

Cana, me urdhër të Stiv Brus u vendos në qendër të mbrojtjes pas krizës së dëmtimeve në këtë repart, një rol që e pa protagonist negativ në 5 golat e parë të Çelsit.

Ai tha: “Ne ishim jemi të shokuar nga ajo që ka ndodhur. Ne nuk ishim në një nivel të pranueshëm dhe ky nuk është një justifikim. Ishim në një gjendje shumë të keqe, në veçanti në 15 minutat e para. Më pas, ishte shumë e vështirë. Por ishte shumë e lehtë për Çelsin dhe ne duhet të përpiqemi të ndryshojmë që në javën e ardhshme. Nuk më ka ndodhur kurrë që të pësoj një humbje të tillë. Kam luajtur për skuadrat që kanë vuajtur dhe kanë pësuar humbje të thella, por kurrë nuk kam qenë pjesë e një skuadre që ka pësuar 7 gola në një ndeshje. Është shumë e dhimbshme”.

Cana shtoi: “Ne u munduam t’i ndryshojmë gjërat në pjesën e dytë dhe 45 minutëshi i dytë ishte paksa më i mirë, por u vu re një diferencë shumë e madhe mes dy skuadrave. Ne ua bëmë atyre shumë të lehtë fitoren. Ne jemi të gjithë profesionistë dhe e dimë se mund të japim më shumë sesa u pa në fushë ndaj ‘Blues’-ave”, ku ishin të pranishëm shumë tifozë të Sandërlendit dhe prandaj jemi shumë të zhgënjyer për këtë arsye. Por unë nuk mendoj se është momenti që unë dhe shokët e mi të heqim dorë”.

Brus është në qendër të kritikave. Ai u shpreh: “Nuk më pëlqen të kërkoj falje. Ne u mundëm nga një skuadër shumë e mirë, por ishte shumë e dhimbshme të mundesh kështu. Unë nuk mund t’i vë faj askujt për asgjë, por duhet të them se të gjithë ne jemi fajtorë. Loriku ka qenë një blerje fantastike për ne. Ai ka luajtur në atë pozicion për Kombëtaren e tij dhe për Marsejën, por kësaj here ne kishim mungesa të shumta në atë repart. Mungesat e shumë lojtarëve na kushtëzuan deri në atë pikë, saqë ne të bënim një paraqitje zhgënjyese ndaj një ndër skuadrave më të mira të Premier League, siç është Çelsi”, përfundoi trajneri i Sandërlendit.

Top Channel