Fiorentina e Palermo, skuadrat që e duan Hyken

16/01/2010 12:55

Zbulohen emrat e dy skuadrave italiane që kërkojnë të afrojnë mesfushorin shqiptar, Jahmir Hyka. Ato janë Fiorentina dhe Palermo, të cilat militojnë në Serinë A.

Sicilianët nuk janë një pretendente e re për 21-vjeçarin, pasi ata ishin interesuar për shërbimet e Hykës edhe gjatë merkatos së verës, por për shkak të dëmtimeve të shumta, Manci vendosi mos ta largojë kuqeziun.

Së fundmi Palermo ka shfaqur mjaft interes për talentet me origjinë shqiptare: kjo skuadër ka në pronësi kartonët e Samir Ujkanit dhe Edgar Canit, ndërsa në të kaluarën zotëronte edhe gjysmën e kartonit të Brian Filipit. Por, emri më prestigjioz është padyshim Fiorentina.

Pas 20 ndeshjesh në kampionat, skuadra e drejtuar nga trajneri Çezare Prandeli renditet e gjashta dhe është një pretendente serioze për një vend në Champions League. Për më tepër, vjollcët luajnë në turin 1/8-ve të aktivitetit më prestigjioz për klube në Europë, ku do të kenë si kundërshtarë gjigandët e Bundesligës, Bajernin e Mynihut.

Sipas raportimeve nga mediat e ndryshme ndërkombëtare, transferimi i Hykës në formë huazimi pritet të realizohet gjatë javës së ardhshme.

Tashmë mbetet për t’u parë se cila ndërmjet Fiorentinës dhe Palermos do të plotësojë pretendimet financiare të klubit gjerman, i cili ka paguar 3.8 milionë euro në vitin 2008, për të blerë kartonin e mesfushorit të Kombëtares shqiptare.

Top Channel