Seria A hap dyert për shqiptarët Hyka e Bakaj

15/01/2010 11:30

Pas të hershmëve të viteve ’40-’50 si Naim Kryeziu (Roma e Napoli) dhe Riza Lushta (Bari, Juventus, Napoli, Siena) edhe eksodit post-’90 si Erjon Bogdanit (Rexhina, Verona, Kievos, Siena Salernitana), Igli Tare (Breshia, Lacio), Evin Skela (Askoli), Edgar Canit (Palermo), Sajmir Ujkanit (Palermo) duket se dyert e Serisë A do të rihapen sërish për talentet shqiptare të futbollit.

Lajmi është bërë i njohur dje nga një prej faqeve sportive italiane online të specializuar në merkato “Tuttomercatoweb.com”, sipas të cilës, dy nga talentet më të spikatur të 5 viteve të fundit, pjesë të Kombëtares kuqezi, Jahmir Hyka dhe Elis Bakaj, janë në fokusin e disa skuadrave italiane gjatë merkatos së dimrit.

Sirena nga dy skuadra italiane për fantazistin shqiptar të Mainz 05, Jahmir Hyka. Sipas “Tuttomercatoweb.com”, nëse vitin e kaluar dështoi tratativa e kalimit të mesfushorit të kombëtares shqiptare te Palermo, pasi skuadra që zotëron kartonin e tij që prej verës së 2008, gjermanët e FSV Mainc 05 nuk pranoi këmbimin me Maurizio Çiaramitaro, tani Jahmir Hyka i ka të gjitha mundësitë të luajë në fushat e Serie A italiane.

Fantazisti i Mainz 05 ndiqet nga dy skuadra italiane dhe ekzistojnë mundësitë që mesfushori kuqezi të zbarkojë në Itali me formulën e huazimit, por e shoqëruar kjo me të drejtën e blerjes së kartonit.

Elis Bakaj mund të bashkohet me Erjon Bogdanin te Kievo në Serie A. Faqja italiane “Tuttomercatoweb.com” ka bërë të ditur se, Kievo Verona është duke ndjekur mesfushorin 22-vjeçar të Dinamos, njëherësh edhe golashënuesin më të mirë në 17 javët e para, 10 gola. Drejtuesit e Kievo Veronës kanë parë disa DVD-i nga ndeshjet e ish-lojtarit të Partizanit dhe priten të nisin bisedimet me futbollist dhe agjentin e tij.

Për Bakajn kanë shfaqur interes edhe gjermanët e Borussia Dortmund dhe azerbajxhanasit e Inter Baku. Bakaj, futbollisti më i mirë i kampionatit shqiptar për vitin 2009, aktualisht ndodhet në grumbullim me Dinamon në Antalia të Turqisë.

Top Channel