Memelli, “bomberi” i 32-të në botë për vitin 2009

15/01/2010 12:30

Lojtari, që sipas të gjitha gjasave do të transferohet te Spartak Nalçik në Premierligën ruse, ishte një prej elementëve më të rëndësishëm të Tiranës kampione. Gjatë edicionit të kaluar, pogradecari realizoi 22 gola, duke u shpallur “Këpuca e Artë” e Kategorisë Superiore.

Memelli renditet menjëherë pas kolumbianit të Indipedientes, Xhekson Martinez dhe argjentinasit të Apolon Lemesos në Qipro, Gaston Maksimiliano Sangou, edhe pse ka shënuar numër të njëjtë golash.

Kjo lidhet me faktin se shqiptari i ka realizuar 22 golat në harkun e 29 ndeshjeve në kampionat, ndërsa Martinez dhe Sangou kanë luajtur vetëm 27 takime. Megjithatë, për t’u theksuar është fakti se 29-vjeçari ka mesatare më të mirë se uruguaiani i Ajaksit, Luis Suarez (22 gola në 31 ndeshje), argjentinasi i LDU de Kuito, Klaudi Bieler (22 gola në 33 ndeshje) dhe argjentinasi i Realit të Madridit, Gonzalo Higuain (22 gola në 34 ndeshje).

Goleadori më i mirë në botë për vitin 2009 është shpallur Mark Janko, i cili militon me Salzburgun: austriaku ka realizuar 39 gola në 34 ndeshje. Në vendin e dytë ndodhet Diego Forlan, uruguaiani i Atletikos së Madridit, me 32 gola në 33 ndeshje në La Ligan spanjolle.

Vendi i tretë ndahej nga kamerunasi i Interit Samuel Eto’o (30 gola në 36 ndeshje), që gjatë vitit 2009 u aktivizua me Barcelonën dhe nga kolumbiani i Zhunjor Barrankuilas, Teofilio Gutierrez (30 gola në 43 ndeshje). Në këtë klasifikim nuk mungonin yjet e futbollit europian. David Vija renditej i shtati (28 gola), Xheko i 11-ti (26 gola), Ibrahimoviç i 16-ti (25 gola), Diego Milito i 19-ti (24 gola) ndërsa Lionel Mesi i 24-ti me 23 gola.

Top Channel