“Taçi Oil”: Pagesa e Realit, konfidenciale

15/01/2010 13:20

Kompania “Taçi Oil” ka mohuar se i ka paguar 2.5 milionë euro Realit të Madridit për ndeshjen që “galaktikët” e Florentino Perez do të zhvillojnë më 20 janar në Tiranë.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, drejtuesit kanë theksuar se shifra e raportuar fillimisht në mediat spanjolle dhe më pas e transmetuar në ato shqiptare nuk është e saktë.

“Informacionet e publikuara nëpër media se kompania jonë ka paguar 2,5 milionë euro për të sjellë skuadrën madrilene në Shqipëri për miqësoren me Gramozin nuk janë të vërteta. Ky është edhe qëndrimi i klubit spanjoll. Shifra mbetet konfidenciale, por duhet të keni parasysh se aty nuk përfshihen vetëm të ardhurat për arkat e Realit, por edhe shpenzime të ndryshme si udhëtimi apo akomodimi në vendin tonë”, bëri të ditur zëdhënësi Milton Nushi.

Ndërkohë, ai ka konfirmuar se sot do të fillojë shitja e biletave të takimit.

Top Channel