Beqiri-Dinamo vendoset brenda 72 orëve

12/01/2010 12:15

E ardhmja e Elvin Beqirit në lidhje me transferimin e mundshëm te Dinamo duket se do të vendoset brenda 72 orëve të ardhshme.

Ky është lajmi më i fundit në lidhje me tratativat mes ish-mbrojtësit të Vllaznisë dhe klubit kryesues të tabelës së klasifikimit në kampionatin shqiptar të futbollit.

Futbollisti shkodran konsiderohet si një përforcim i kënaqshëm për skuadrën e drejtuar nga trajneri Shkëlqim Muça, i cili kërkon të ndërtojë një solide me të cilët të ketë mundësi të garantojë fitimin e titullit kampion në fund të këtij sezoni.

Sikurse është bërë e ditur, bisedimet mes palëve kanë qenë intensive gjatë ditëve të fundit.

Por deri në momentin që flasim, ende nuk është arritur në ndonjë marrëveshje konkrete. Madje, sipas të dhënave të fundit, mund të themi se kërkesë-oferta është ende shumë larg pikës së takimit mes tyre. Gjatë bisedimeve të fundit mësohet se vetë Beqiri u ka kërkuar drejtuesve të lartë të Dinamos një rrogë mujore prej 6 mijë eurosh.

Por një gjë e tillë nuk duket shumë e përtypshme për zyrtarët e klubit blu, të cilët nga ana e tyre janë të gatshëm t’i ofrojnë vetëm një rrogë prej 3 mijë eurosh në muaj. Gjithsesi, asgjë nuk përjashtohet për ditët e ardhshme.

Palët vazhdojnë të ruajnë dialogun dhe informacionet më të qarta dhe është shumë e mundshme që gjatë negociatave të dyja palët të mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët për marrëveshjen financiare, e cila për momentin po mbetet edhe si një nga pengesat e vetme në realizimin e transferimit të Beqirit te Dinamo.

Gjithsesi, këto tri ditë do të jenë vendimtare në lidhje me këtë çështje. Problemet mes mbrojtësit Elvin Beqiri dhe klubit të Vllaznisë kanë nisur që në përfundim të sezonit të kaluar.

Gjatë fazës përgatitore pati një përplasje mes 30-vjeçarit dhe drejtuesve, të cilët e kërcënuan se do ta ndëshkonin me gjobë për shkelje të kontratës. Beqiri, i cili është edhe pjesë e Kombëtares kuqezi, tentoi të provojë një aventurë në kategorinë e dytë franceze te Bulonje, por që rezultoi e dështuar. Pas shumë peripecish ai u rikthye sërish te Vllaznia, por në përfundimin e gjysmës së parë të sezonit u vu në listën e të gatshmëve për t’u larguar, pasi konsiderohen përgjegjës për paraqitjen jo të mirë në këtë sezon.

Top Channel