Muça: Në Peqin do të jetë e vështirë

19/12/2009 12:20

Kampionati shqiptar duket se po kalon një fazë interesante, e cila pritet që shumë shpejt të ndajë përfundimisht “shapin nga sheqeri”.

Dinamo është shkëputur plot 14 pikë nga ndjekësi më i afërt, Besa, dhe 17 e 18 pikë përkatësisht nga Apolonia e vendit të tretë dhe Tirana e vendit të katërt.

Për momentin, skuadrat ndjekëse të bluve i mbajnë gjallë vetëm shpresat matematike, pasi me këtë diferencë është thuajse e pamundur që Dinamo ta humbasë titullin kampion të këtij sezoni, edhe pse deri tani ka kaluar vetëm gjysma e sezonit 2009-2010.

Gjithsesi, kjo situatë ka sjellë qetësinë te kryesuesit e padiskutueshëm të këtij edicioni, të cilët kanë dominuar ndaj çdo kundërshtari dhe nuk njohin asnjë humbje në 15 ndeshjet e para. Java e 16 do t‘i shikojë ata përballë Shkumbinit në transfertën e sotme në Peqin.

Një ndeshje, e cila nuk mund të konsiderohet e kalueshme lehtë për Dinamon. “E shohim Shkumbinin si rivalen për tri pikët e radhës, shpjegon trajneri i bluve, Shkëlqim Muça. E vetmja gjë që më shqetëson në Peqin është terreni, sepse pas reshjeve do të përballemi në një fushë me baltë, e cila do të bëjë që ndeshja të jetë shumë e ashpër dhe ku Dinamo rrezikon të mos paraqesë të gjithë potencialin e saj”. Tekniku i kryesuesve, gjithsesi, nuk e fsheh kënaqësinë për ecurinë e skuadrës së tij dhe dështimet e njëpasnjëshme të rivaleve në këto javët e fundit, gjë që i ka mundësuar atij dhe Dinamos arratisjen. “Jam i kënaqur me rezultatin në Besa-Tirana 1-1 edhe për faktin se tani ne kryesojmë të sigurt në kampionat, pasi kemi thelluar diferencën me kundërshtarët tanë. Nuk më vjen keq fare që kryesojmë të vetëm dhe dominojmë të gjithë kundërshtarët, sepse kjo tregon që Dinamo është skuadra më e mirë, megjithatë ne nuk i gëzohemi avantazhit dhe nuk mendojmë se jemi kampionë deri sa ta sigurojmë titullin edhe matematikisht”. Problematike është edhe gjendja gripale e disa lojtarëve si Sefa, Pisha etj., që gjatë mesjavës nuk kanë demonstruar formën e tyre më mirë. Trajneri ka lënë të kuptohet që në merkato do të kërkojë një mbrojtës të krahut të majtë, ku aktualisht luan Del Monte.

Top Channel