FIFA diskutoi legalizimin e transferimeve nga Kosova

19/12/2009 14:20

FIFA ka njoftuar zyrtarisht Federatën Kosovare të Futbollit, se njëra prej problematikave në sportin më popullor të shtetit më të ri europian është diskutuar gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv.

Nëpërmjet një shkrese, institucioni që drejton futbollin botëror konfirmoi se gjatë mbledhjes se mbajtur në fillim të dhjetorit në Afrikën e Jugut u shqyrtua kërkesa e FFK-së, sipas së cilës klubet e huaja duhet t‘i paguajnë dëmshpërblim skuadrave nga Kosova, në rast se afrojnë ndonjë lojtar nga ky vend.

“Kemi kënaqësinë t‘ju informojmë se në mbledhjen e mbajtur më 3 dhjetor 2009, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s shqyrtoi situatën e FFK-së, në lidhje me transferimet ndërkombëtare të lojtarëve të Kosovës. Ju njoftojmë se jemi duke analizuar situatën dhe më pas do t‘u kthejmë një përgjigje”, thuhet ndër të tjera në letrën e nënshkruar nga drejtori i çështjeve ligjore, Marko Viliger. Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, theksoi se vendimi përfundimtar rreth kësaj çështjeje pritet të merret në një të ardhme të afërt. Në nëntor, gjatë një takimi në Zvicër me presidentin Sep Blater, federata kosovare i ka parashtruar FIFA-s edhe tri kërkesa: Pranimin e plotë të Kosovës si anëtare, lejimin e Kombëtares kosovare që të luajë ndeshje miqësore deri në pranimin në familjen botërore të futbollit dhe “dritën jeshile” që klubet kosovare të luajnë në kupat e Europës.

Top Channel