Muça-Sulaj, shkëndija te Dinamo

11/12/2009 10:30

Fillojnë problemet te Dinamo. Presidenti Besnik Sulaj ndërhyn në zgjedhjet taktike të trajnerit Shkëlqim Muça, ndërsa drejtuesi i stolit nuk flet asnjë fjalë, por tregon hapur me gjeste pakënaqësinë e tij.

Gjithçka ka ndodhur në sfidën e së mërkurës, në të cilën Dinamo ka fituar 3-0 me Bylisin dhe është kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Skandali i grushteve që ndodhi në tribunën e fushës sportive “Skënder Halili”, ku u përfshinë zv.presidenti i bluve Avni Braçe, presidenti i ekipit ballshiot, Besnik Kapllanaj, dhe trajneri i portierëve të skuadrës mike, Arbër Sino, e ka lënë në hije këtë episod.

Megjithatë, kjo mund të jetë fillesa e krisjeve mes palëve, ose vetëm “maja e ajsbergut” e konflikteve te Dinamo. Në fakt, blutë janë ndoshta klubi i vetëm në Shqipëri që arrin t‘i “fshehë” në mënyrë perfekte problemet e brendshme dhe t‘i zgjidhë ato pa shumë bujë.

Por, ndërhyrjet e tentuara nga presidenti Sulaj mund të jenë “Thembra e Akilit” e asaj që deri më tani është shfaqur si një skuadër e pathyeshme në fushën e lojës. Kryeqytetasit dominojnë kampionatin elitar në vend: në 13 ndeshje të luajtura në Kategorinë Superiore, ata kanë grumbulluar 35 pikë (vetëm 4 më pak se maksimumi i mundshëm), ndërsa Besa e vendit të dytë është e distancuar me dhjetë pikë. Rruga e sigurt drejt titullit kampion shoqërohet nga kualifikimi mes tetë më të mirave në Kupë, aktivitet për të cilin Dinamo synon të luftojë deri në fund. Humbja e vetme sezonale ka ardhur pikërisht në trofeun e dytë për nga rëndësia në vend, gjatë ndeshjes së parë me Bylisin (1-0 në Ballsh). Një rezultat që gjithsesi nuk ka pasur asnjë ndikim, pasi shifrat janë përmbysur në takimin e kthimit.

Por tensioni, sado i pakuptueshëm mund të duket, ekziston. Ai është pasqyruar në minutën e 70 të ndeshjes së fituar 3-0 gjatë mesjavës. Dinamo kryesonte 1-0, rezultat i cili do të bënte të nevojshëm zhvillimin e kohës shtesë dhe Muça vendos të ndërhyjë në lojë.

Ai nxjerr nga fusha sulmuesin Plaku dhe aktivizon mbrojtësin Xhafa. Lëvizja taktike kishte një rrjedhë logjike për lojën, duke vlerësuar terrenin e vështirë, tensionin dhe luftën e fortë sportive që po zhvillohej deri në ato momente. Por, ajo nuk është pëlqyer nga presidenti Sulaj, i cili ka reaguar si rrallëherë.

Ai ka bërtitur nga tribuna, duke treguar hapur se nuk pajtohej me vendimin e trajnerit. “O Çimo, po ti me shkatërrues do luash, me mbrojtës”, ishin fjalët e drejtuesit më të lartë të klubit, “fut more sulmues, luaj përpara”. Muça, nga ana e tij, është kthyer nga tribuna, ka bërë shenjë duke ngritur duart, por nuk ka thënë asnjë fjalë. Rezultati final i dha të drejtë teknikut: dinamovitët realizuan edhe dy gola me Bakajn e Sozën dhe do të të luajnë kundër Shkumbinit në çerekfinale. Por “krisja” duket se ka filluar.

Top Channel