Grupe “ferri” për Brazilin dhe Gjermaninë

05/12/2009 12:10

Tridhjetedy skuadrat pjesëmarrëse në fazën finale të Kupës së Botës 2010 që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut kanë mësuar kundërshtarët në grupe.

Mes një spektakli shumëngjyrësh dhe mjaft të këndshëm të zhvilluar në Kejp Taun, i cili mendohet se është ndjekur nga afro 200 milionë teleshikues, është hedhur edhe shorti për evenimentin më të rëndësishëm në rang përfaqësueses.

Prezenca e yjeve të sporteve të ndryshme, si edhe ajo e aktores Çarliz Teron në rolin e prezantueses, e bëri mbrëmjen mjaft gazmore, por natyrisht që pika kulmore ishte në momentin e përcaktimit të grupeve.

Goglat nuk u treguan aspak bujare me Brazilin dhe Gjermaninë. “Seleçao” e Karlos Dungës do të luajë në Grupin G, së bashku me Portugalinë e Kristiano Ronaldos, Bregun e Fildishtë të Drogbasë dhe Korenë e Veriut. Edhe Gjermania e Joakim Lëv ka arsye të mira përse duhet të shqetësohet: gjysmëfinalistët e Botërorit 2006 do të kenë si kundërshtarë Serbinë, Ganën dhe Australinë në Grupin D.

Një luftë e fortë sportive ndërmjet katër vendeve me një futboll krenar, nga e cila në fund do të buzëqeshin vetëm dy përfaqësuese, pasi dy të tjera do të jenë të detyruara t‘i japin lamtumirën përpara kohe aktivitetit. Short fatlum për Francën që nuk ka si të mos jetë e kënaqur.

Pasi u hoqën nga kokat e grupeve, për t‘u klasifikuar në vazon e katërt, “gjelat” e Rajmond Domenek rrezikonin të përballeshin me kundërshtarë shumë të fortë. Megjithatë, ata mund të flenë të qetë, pasi rivali më serioz në Grupin A është vetëm Meksika. Pikërisht kundër kësaj skuadre që Henri & Co. do të luftojnë për vendin e parë, ndërsa në të njëjtin grup luajnë edhe Afrika e Jugut, e klasifikuar automatikisht si vend organizator dhe Uruguai.

Short i veçantë për Argjentinën e Diego Armando Maradonës. “Pibe de Oro” do të përballet me kundërshtarë të njohur: Korenë e Jugut, skuadër me të cilën ka luajtur në Kupën e Botës “Meksikë ‘86”, Nigerinë dhe Greqinë, dy skuadra që i kishte përballë në grup në Botërorin SHBA ‘94.

Fakt për t‘u veçuar është se Maradona ka shënuar golin e tij të fundit me fanellën e Argjentinës pikërisht në portën e grekëve. Spanja, kampione e Europës dhe kandidatja kryesore për të fituar titullin kampion, do të ndeshet me Zvicrën, Hondurasin dhe Kilin në Grupin H. Anglia e Fabio Kapelos ndodhet në Grupin C, ndërsa kundërshtarët e saj janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Algjeria dhe Sllovenia.

Short i lehtë edhe për Italinë, e cila do të luajë me Paraguain, Zelandën e Re dhe Sllovakinë. “Axurrët” e Lipit kanë evituar kundërshtarët afrikanë, të cilët ishin shqetësimi kryesor për stafin teknik, por edhe një duel të mundshëm me Francën. Nëse do të kualifikohet, Italia do të përballet në fazën me eliminim, me një prej dy vendeve të para të Grupit E, i cili përbëhet nga Holanda, Danimarka, Japonia dhe Kameruni.

Top Channel