Memelli, i 27-i në renditjen e sulmuesve më të mirë në botë

04/12/2009 12:55

Migen Memelli është i 27-i në klasifikimin e golashënuesve më të mirë të 60 kampionateve më të fortë në botë.

Renditja e publikuar nga Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave në Futboll, që përfshin ndeshjet deri në muajin nëntor, ka bërë që sulmuesi të humbasë pesë vende në krahasim me muajin gusht.

Tri muaj më parë, golashënuesi më i mirë i Kategorisë Superiore për sezonin 2008-2009 ndodhej i 22-i, por situata pritet të ndryshojë sërish, duke qenë se tetë kampionate janë ende nuk kanë përfunduar.

Gjithsesi, i rëndësishëm është fakti se Memelli me 22 golat e tij në 29 ndeshje të luajtura mbetet në gjysmën e parë të sulmuesve më efektivë përpara portës sipas të dhënave të IFFHS-së. Për t‘u veçuar është fakti se pogradecari ndodhet vetëm disa shkallë më poshtë se fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2009, Lionel Mesi.

Argjentinasi renditet i 22-i (duke marrë vendin e mbajtur nga lojtari shqiptar), me 23 gola të realizuar në 31 takime të zhvilluara në La Liga. Ky klasifikim pasqyron më së miri kualitetin e Memellit, i cili vazhdon të cilësohet nga Josip Kuzhe si një element me potencial për Kombëtaren kuqezi. Sulmuesi po rikthehet në formën optimale pas dëmtimit që e mbajti për afro tre muaj jashtë fushave, mungesë e cila ka peshuar edhe te Tirana gjatë këtij sezoni.

Top Channel